Paraditën e së dielës, më 12 qershor 2016, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në një takim të ngrohtë e vëllazëror, z. Jaser Al-Bader, Atashe diplomatik pranë Ambasadës së Kuvajtit në vendin tonë.
Qëllimi i kësaj vizite ishte urimi me rastin e Ramazanit 1437/2016 dhe shpërndarja e pakove ushqimore për personat në nevojë, projekt bamirës që ambasada e Kuvajtit e praktikon prej vitesh në qytete të ndryshme të vendit tonë.
Mytiu e falënderoi z. Al-Bader për përkushtimin dhe interesimin e vazhdueshëm të ambasadës së Kuvajtit për realizimin e projekteve bamirëse në fusha të ndryshme, duke përhapur mirësi dhe vlera, sidomos në muajin e madhërueshëm të Ramazanit.
Nga ana e tij, z. Al-Bader theksoi se ndihma ndaj të varfërve dhe njerëzve në nevojë ka një rëndësi të madhe, sidomos në këtë Muaj, por edhe në dëshmimin e vëllazërisë dhe solidaritetit në mesin e dy popujve tanë.
Një pjesë e pakove të Ramazanit, u shpërndanë në prezencë të Myftiut dhe Atasheut, të cilët uruan që ky projekt bamirës të vazhdojë edhe në të ardhmen, në dobi të familjeve shkodrane në nevojë.