Myftiu i Shkodrës: “Lutja, barometër i marrëdhënies reale me Zotin, Një!”

Myftiu i Shkodrës: “Lutja, barometër i marrëdhënies reale me Zotin, Një!”

Me ftesë të xhamisë “Bashkimi”, në Linz të Austrisë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari mbajti ditën e xhuma, më 27 shkurt 2026, hytben e xhumasë përpara numrit të madh të besimtarëve muslimanë shqiptarë që frekuentojnë këtë xhami të shquar për aktivitetin e saj në Austri.

Në mesazhin me të cilin iu drejtua besimtarëve të pranishëm, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari u përqendrua tek mirësia e madhe me të cilën është rrethuar ymeti islam gjatë këtyre ditëve të bekuara të muajit Ramazan.

Myftiu theksoi se fakti që të gjithë ne e kemi mbërritur këtë muaj të bekuar dhe po përjetojmë mirësitë dhe mëshirën e Allahut në përditshmërinë e këtyre ditëve, është në dëshmi e madhe e dashnisë së Allahut për gjithësecilin prej nesh. Myftiu vuri theksin tek rëndësia e madhe që ka lutja si thelbi i adhurimit të agjërimit, ndryshe si barometër i vërtetë që përcakton marrëdhënien reale të muslimanit me Zotin e gjithësisë, Allahun e Madhëruar.

Ndër të tjera Myftiu theksoi: “Të dashur dhe të shtrenjtë vëllezër besimtarë, është fatmirësi e madhe që Krijuesi i gjithësisë e ka lënë të hapur derën e lutjes për gjithësecilin prej robërve të Tij, duke i ftuar nëpërmjet një ajetei madhështor, ku i drejtohet Pejgamberit (a.s) duke i thënë: ‘Nëse të pyesin robërit e Mi për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit!’ – (Kur’ani, El-Bekare: 186)

Ky ajet i mrekullueshëm i dëshmon besimtarit se Allahu Mëshirëplotë është përherë ‘afër’, po muslimani sa afër Zotit të tij është në përditshmërinë e tij?

Nëpërmjet shembujve të shumtë dhe argumenteve të bollshme Zoti i gjithësisë na tregon për shembullin e më të mirëve të racës njerëzore, Pejgamberëve të Tij, ku një shumësi prej tyre janë përjetësuar në Kur’nin Famëlartë nëpërmjet lutjeve të ndryshme e të larmishme me të cilat i drejtoheshin Krijuesit të gjithësisë në momente të ndryshme të jetës së tyre

Imagjinoni për pak Pejgamberë të shquar nga Hz. Ademi (a.s), Hz. Nuhu (a.s), Hz. Junusi (a.s), Hz. Ibrahimi (a.s), Hz. Zekerija (a.s), Hz. Sulejmani (a.s), Hz. Musa (a.s), etj, lutjet e të cilëve janë regjistrua në Kur’anin Famëlartë.

Sa e sa lutje të përditshme që na janë mësuar nëpërmjet traditës të Pejgamberit tonë (a.s), si e si për të na marrë për dore që mos ta neglizhojmë këtë bekim të madh të Allahut në jetën tonë të përditshme

A ka justifikim muslimani i sotëm që ankohet për probleme të ndryshme në jetën e tij, për shqetësime për halle, për telashe, për ngërçe, për ngushtimi e rizkut, për problematika të ndryshme në familjen e tij, në shoqërinë e tij, që të ngelet në batakun e vështirësive të tij, ndërkohë që dera e lutjes është e hapur.

Prandaj, të nderuar dhe të shtrenjtë vëllezër besimtarë, le ta shfrytëzojmë këtë kohë të bekuar të muajit të Ramazanit për të përsosur marrëdhënien që kemi me Zotin e gjithësisë nëpërmjet asaj që ka kërkuar dhe legjitimuar për ne; lujtes!”

Gjatë qëndrimit në Linz, Myftiu do të marrë pjesë edhe në disa aktivitete të tjera që zhvillon xhamia “Bashkimi”, përfshirë iftarin e madh me rininë dhe besimtarët, tribunën fetare para namazit të teravisë, si dhe bashkëbisedimin e hapur me një grup të rinjsh dhe aktivistësh të saj.