Ramazani i sivjetshëm ka ardhur me shumë begati e mirësi për muslimanët e Shkodrës. Aktivitete të larmishme, iftare vëllazërore, bamirësi të shumta, qindra familje shkodrane të ndihmuara në mënyra të ndryshme, të rinj të shumtë agjërues, fëmijë që prezantojnë faljen e sabahut me xhemat, shtimi i Hatmeve Sherife në xhamitë tona, nisja e punimeve për xhami të reja, e shumë e shumë mirësi të tjera.
Pa dyshim, një ndër risitë e bukura të këtij Muaji të begatë, janë edhe vizitorët e nderuar që po e gjallërojnë edhe më shumë aktivitetin fetar dhe atmosferën e Ramazanit në Shkodër.
Janë pjesë e bashkëpunimeve dhe marrëveshjeve të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë me Dijanetin e Turqisë dhe atë të Arabisë Saudite.
Kështu, gjatë gjithë Ramazanit, Myftinia Shkodër ka mirëpritur dy hafizët e ardhur nga Turqia, të nderuarit, Hfz. Ibrahim Aslan dhe Hfz. Yakup Avci.
Ndërkohë, ditën e djeshme nderoi me vizitën e tij, Dr. Mahmud Esh-Shinkiti, nga Arabia Saudite, ndërsa sonte, namazi i teravisë në xhaminë e Parrucës u drejtua nga dy hafizët e nderuar, Hfz. Yusuf Sulejmanogllu dhe Hfz. Abdurrahman Tavur, që shërbejnë këtë Ramazan në qytetin e Elbasanit.
Myftinia Shkodër falënderon vizitorët e nderuar dhe shpreson që bashkëpunime të mëtejshme me botën islame të sjellin shtimin e thirrësve islamë joshqiptarë në vendin tonë, si miq të shumëpritur dhe të nderuar.