Përkujtohen gjurmë të hoxhallarëve shkodranë të shekullit 19-20 në Qendrën Kulturore të Mes-Myselimit
Pasditen e së mërkurës, më 18 dhjetor 2024, Myftinia Shkodër në vazhdën e aktiviteteve për Ditën Botërore të Gjuhës Arabe zhvilloi një aktivitet kulturor me temë: Gjurmë të arabishtes në trashëgiminë e hoxhallarëve shkodranë të shekujve 19-20, në Qendrën Kulturore të xhamisë së fshatit Mes-Myselim.
Pas fjalës së hapjes mbajtur nga imami i kësaj xhamie, i nderuari H. Fatmir Sulaj, fjalën e rastin e mori Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili nëpërmjet videoprojektorit lëvroi temën e tij duke nxjerr në pah gjurmët e afirmuar të një elite hoxhallarësh shkodranë të shekullit 19-20 në gjuhën arabe.
Gjatë fjalës së tij Myftiu theksoi, se interesimi i hoxhallarëve shkodranë për të ruajtur gjuhën arabe, për ta mësuar atë, për t’u thelluar në të, për ta trashëguar atë dhe për t’ia mësuar të tjerëve buron nga nxitja kur’anore, ku Zoti i gjithësisë na tërheq vëmendjen se ky Kur’an ka zbritur në gjuhën arabe.
Myftiu theksoi, se fakti që Kur’ani ka zbritur në gjuhën arabe i jep kësaj gjuhe një imunitet hyjnor deri në ditën e fundit. Ai theksoi, se gjatë studimeve universitare në Damask në lëndën e Letërsisë Arabe kishte studiuar edhe pjesët e letërsisë arabe të periudhës para islame. Myftiu tha, se gjuha me të cilën është folur dhe është shkruar para më shumë se 15 shekujsh është pak a shumë e njëjta gjuhë arabe me të cilën komunikohet edhe sot, shkruhet dhe lëvrohet anembanë botës.
Gjatë këtij aktiviteti të pranishmit patën mundësi të shohin gjurmë të shumta të hoxhallarëve të Shkodrës dhe kontributin e këtyre hoxhallarëve në ruajtjen e gjuhës arabe nëpërmjet shkrimit.
Aktiviteti u pasua me pyetje, përgjigje dhe me një bashkëbisedim shumë të këndshëm dhe vëllazëror në mesin e Myftiut dhe të pranishmëve.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe imamë të nderuar të zonës së Postribës, etj.