Haku i tokës dhe paqja sociale!

Hytbeja dhe Mesazhi i xhumasë i Myftiut të Shkodrës, më 16 tetor 2026, në xhaminë e Parrucës

 Haku i tokës dhe paqja sociale!

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm Allahut Fuqiplotë, Zotit Një, i Cili na krijoi, duke lajmëruar për tokën tone, melekët e Tij: “(Përkujto) Kur Zoti yt u tha melekëve: Unë po krijoj në tokë një mëkëmbës…”.[1]

Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot në këtë ditë e në çdo frymë të jetës sonë, Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit të krijesave të Allahut, Hz. Muhammedit (alejhis-selam), i cili na lidhi edhe më shumë me tokën tonë, kur botërisht urdhëroi: “Mbrojeni tokën, sepse ajo është Nana e juaj dhe për secilin prej jush që do të veprojë mirë a keq mbi faqen e dheut, ajo do të dëshmojë!”[2]

Të dashtun dhe të shtrenjtë, motra dhe vëllezër besimtarë,

bija dhe bij të Shkodërloces dhe të kësaj toke të shtrenjtë shqiptare!

Ka dashur Zoti i gjithësisë, që të lindemi e të vazhdojmë të jetojmë në këtë tokë të shtrenjtë të gjyshërve dhe baballarëve e, po në këtë vend, të rrisim e të edukojmë fëmijët tanë për ta dashur e ruajtur tokën, besimin, nderin, moralin, pasurinë, dinjitetin, gjuhën, vëllazërinë e harmoninë, duke iu lutur Zotit në vazhdimësi, tamam si Hz. Ibrahimi (alejhis-selam) për Mekën e shenjtë: “Zoti im, bëje këtë vend të sigurt…”[3], e duke punuar në këtë vend e për të mirën e tij, tamam si Hz. Pejgamberi jonë, që lutej për Qytetin e tij të zemrës: “O Zoti im, na e bëj të dashur Medinën, siç na e bëre të dashur Mekën, por edhe më shumë..!”[4]

Ka caktuar Allahu i Madhëruar, që në këtë tokë e në këtë vend, të jetojmë bashkë me familjet tona, të kontribuojmë e të punojmë me ndershmëri e sakrificë, duke mos harruar asnjëherë për të kthyer, herë pas here, kokën pas, për të mos harruar se si ishte katandisur ky vend e kjo shoqëri… Pikërisht atëherë, kur brezi im, qëndronim në radhë për një bukë të zezë, shtrydheshim e shtyheshim për të marrë talonin e dy-treqind gramëve mish të grirë e gjalpë, një herë në muaj..!? Zgjoheshim pasmesnate dhe dilnim, me njërin prej prindërve, a kryesisht me gjyshërit tanë, për të vendosur një gur a ngjashëm, në radhën e qumështit, që herë vinte e herë jo, e herë e merrnim e herë jo..!?

Pastaj ra sistemi më shkatërrimtar i këtij kombi, ai që guxoi të eksperimentonte mundësinë e shpikjes së “Njeriut të ri”, atij që nuk beson në Zot, që nuk njeh kufij e që për zotin e tij të rremë: pushtetin e paranë, është i aftë të bëjë të paimagjinueshmen, të bëjë pakt me shejtanin, të shesë vendin, të punojë kundër interesit të popullit, të zhvasë e të shkatërrojë; sepse nuk ka kod besimi dhe nuk e bren ndërgjegjja për ditën e llogarisë!?

Të tillë, njerëzimi ka dëshmuar pa fund, aq sa Toka, mbi të cilën jetojmë të gjithë, nga lindja në perëndim, është lodhur nga tymnaja e luftërave të padrejta, nga bombardimet shkatërrimtare dhe dhuna e pandalshme, që akoma sot, ia ndalon botës qetësinë, sigurinë, vëllazërinë dhe mirëqenien, për realizimin e të cilave punojmë ditë-natë, sipas udhëzimit hyjnor!

Me hapjen e Shqipërisë, unë me shokë, udhëtuam drejt një realiteti tjetër, për të mësuar dhe për të marrë nga shkollat më të mira të botës islame, atë fener drite, që për dekada e dekada, ishte luftuar që të zhdukej e të shkëputej marrëdhënia e shqiptarëve me të…

Disa të tjerë, zgjodhën të iknin, sepse jeta i ishte zizuar nga politikat e presionit psikologjik, dhunës barbare, frikës dhe varfërimit ekstrem!? Ikën, dikush afër e dikush larg; duke marrë me vete një copë malli e një hise të një dashnie, vendin e së cilës nuk e zuri, as mund ta zërë asgjë në jetë; dashnia e malli për vendlindjen, për nanë e babë, për ajrin e ujin e tokës, ku i krijoi Zoti!

Atje, ku u vendosën, mbetën besnikë të prejardhjes, nuk e mohuan, nuk e fshehën, nuk e tradhtuan; jetuan me nder, por me një plagë të madhe në zemër, atë të largësisë së paevitueshme nga Vendlindja e shtrenjtë!

Përgjatë shekujve, shqiptarët u bënë udhëheqës e guvernatorë shtetesh, drejtues të lartë fetarë e burra të urtë e dijetarë elitarë, si: Hoxhë Hasan Tahsini (1811-1881), djali i Ninatit, që u bë rektori i parë i Universitetit të Stambollit; guvernatori Osman i Libanit, Vasa Pasha (1825-1892); inxhinier Filip Shiroka në Kajro e Bejrut (1859-1935), autori i poezisë së famshme “Shko dallëndyshe”, ku me mall i këndon dashnisë për vendlindjen:

Udha e mbarë se erdh prendvera,

Shko dallëndyshe tue fluturue,

Prej Misirit n’dhena tjera

Fusha e male tue kërkue;

N’Shqypni shko, pra, fluturim,

Shko në Shkodër, n’gjytet tim!

U bënë shkencëtarë nobelistë, si mjeku i famshëm dhe farmakologu shqiptar, Dr. Ferid Murati (1936-2023), misionarja katolike Gonxhe Bojaxhiu (1910-1997); pa përmendur periudhën e artë të lavdisë osmane, ku shqiptarët ishin burra shteti të dëshmuar për urtësi e largpamësi, arkitektë dhe admiralë, artistë e shkrimtarë, hoxhallarë të urtë e autorë veprash, që ende presin në sirtarët e arkivave të pasura osmane për studiuesit dhe kërkuesit e thesareve të thellësive të mendimit!

Mimar Sinani, Barbaros Hajredin Pasha, Zaganos Pasha, Gedik Ahmet Pasha, Mehmet Ferit Pashë Vlora, Salih efendi Myftija, Kryemyftiu i shqiptarëve në botën e lirë, por jo vetëm, mbeten pika referimi, për ne dhe përtej nesh!

Akoma sot, bijtë e bijat e kësaj toke, vazhdojnë të punojnë e të përkushtohen, anembanë botës, duke mos harruar tabanin dhe origjinën e tyre, si dhe duke na bërë krenar me arritjet e tyre, gjithandej, si bija fisnike e Shkodrës, Dr. Egesta Lopçi, e shumë e shumë të tjerë, që në një moment të ditës e të natës, në heshtjen e qetësinë e ditëve të ngarkuara me punë e sakrificë, teksa marrin frymë thellë, thërrasin me zërin e shpirtit, tamam si Hoxha i Madh shkodran në mërgatë, dijetari i pashoq, Zotnia i jonë, H. Vehbi Sulejman Gavoçi, që shkruante me lapsin e mallit:

“S’po t’livdoj Shkodër, megjithëse je vendi që në të thitha ajrin dhe erën e jetës për herë të parë… Ruajta gjuhën t’ande dhe, kur u ktheva te ti pas 55 vjetësh, më more ndryk deri m’u rehatu zemra.

Unë e di Shkodër, se nuk jam gja, veçse mburrem që jam shkodran!”[5]

Të dashtun dhe të shtrenjtë, motra dhe vëllezër!

E di shumë mirë, se po të rri duke folur për mërgatën shqiptare dhe personalitetet e saj, nuk do më dalë një orë a më shumë, porse ajo që dua të tërheq vëmendjen drejt saj, nëpërmjet këtyre rreshtave dhe këtij mesazhi, është kthimi me vëmendjen e të gjithëve, pa përjashtim, drejt hakut të madh që ka toka e jonë shqiptare tek secili prej nesh!

Pejgamberi (alejhis-selam), urdhëron e thotë: “Ai që zgjohet prej jush shëndosh e mirë në trupin e tij, i sigurt në veten, familjen dhe rrethin e tij, që e ka bukën e ditës së tij, është si të zotëronte botën me krejt pasuritë e saj!”[6]

Shëndetësia, siguria dhe paqja sociale, si dhe mirëqenia e përgjithshme e njerëzve!

Kurdo që këto tre elementë me rëndësi jetike për një jetë me dinjitet, të realizohen, do të thotë se shoqëria dhe njerëzimi janë në rrugë të mbarë për të jetuar kaderin e tyre me bekimet dhe mirësinë e Zotit!

Le të mendojmë për pak me zë të lartë, se përse akoma sot, 36 vjet pas rënies së komunizmit, pjesa më e madhe e shoqërisë sonë, mezi ia del të mbyllë fundin e muajit pa borxhe? Përse çmimet sa vijnë e çmenden në këtë vend, ku bankat presin e përcjellin ditë pas dite taborra me aplikantë për kredi?! Ku po shkon shoqëria e jonë, a më mirë thuaj, ku po e tërheqin, duke e shpërbërë dhe duke e nxjerrë nga tabani i besimit dhe geneve të gjyshërve me ujë fytyre, dinjitet e fisnikëri?!

Përse e përse dhe, zhurma e madhe e protestave disamujore dhe e revoltës mbarëpopullore të këtyre ditëve, na fton që secili të mendojmë në vetvete për hakun e tokës dhe sa të dobishëm jemi për tjetrin?

A nuk na mëson i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Zotninë e tij), se: “Allahu i Madhëruar dëshiron, që kur ndonjëri prej jush të bëjë një vepër, ta përsosë atë!”[7] dhe se: “Më i dashuri i njerëzve për Allahun, është më i dobishmi i tyre për njerëzit!..”[8]

Mesazhi im sot, i drejtohet të gjithë atyre që duhet të dëgjojnë, për të bërë më të mirën e mundshme që ky popull mos të horllatiset më shumë, mos të poshtërohet, mos të varfërohet e mos të detyrohet të lërë vendin e tij, për një jetë më me dinjitet e fisnikëri, larg kësaj toke të begatë e këtij vendi, që nuk ka nevojë për muhaxhirë e endacakë horizontesh, që kurrë nuk mund ta ndërtojnë e ta duan, si bijat e bijtë e saj!?

Boll më me rini e fëmijë që po na ikin, duke e varfëruar këtë tokë të shtrenjtë, që po të menaxhohen si duhet thesaret e saj natyrore, do ta bënin jetën e banorëve të saj për t’u dëshmuar me gisht për standardet më të larta të jetesës mbi faqen e dheut!

Po, deri kur kështu, xhanëm!

Ruajtja e shenjtërisë së jetës, e shëndetit të qytetarëve, e rehatisë dhe e sigurisë së tyre, e pronës publike, e paqes sociale dhe vëllazërisë në mes nesh, janë shtylla të padiskutueshme që mbajnë në këmbë vendin dhe kombin, prandaj, të gjithë pa përjashtim, të kemi frikë Zotin e të jemi të kujdesshëm për sa më lart, sepse kjo jetë është e shkurtër dhe askush nuk do marrë me vete, përveç qefinit dhe veprave me të cilat do të dalë fillikat para Krijuesit të gjithësisë dhe krijesave mbarë!

Allahu i Madhëruar e ka ndaluar padrejtësinë, kur thotë: “O robërit e Mi, unë e ndalova padrejtësinë për Veten Time dhe e bëra të ndaluar mes jush, prandaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit!”[9]

Ka ndaluar krimin, imoralitetin, shkatërrimin e jetës së tjetrit nëpërmjet drogërave, bimëve narkotike, pijeve dehëse, zhvatjes së pasurive, sikurse ka ndaluar rreptësishtë fajdet, kumarin, grabitjen e pronës, ndërtimin e zhvillimit mbi prona të vjedhura e të grabitura, me letra të falsifikuara e manipulime djallëzore etj.

Në Islam, kemi mësuar se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për Zotninë e tij), nuk pranoi të falte xhenazen e të riut që kishte vdekur me borxhe të pashlyera!? Po ata, që ia shkatërrojnë jetën njerëzve duke i vjedhur e grabitur ditë pas dite, me gësnjeshtra e manipulime, me dredha e kërcënime, çfarë ndëshkimi mund të kenë nesër në ditën e gjykimit?

Është koha për t’u zgjuar nga kllapia e anarshisë, dhe mendjet e urta të këtij vendi e të kësaj toke të bagatë, të mblidhen me urgjencë për t’i dhënë zgjidhje të menjëhershme këtyre situatave të papranueshme për njerëzit me dinjitet dhe kohën që jetojmë!

Fëmijët i kemi amanet nga Zoti dhe do të përgjigjemi për edukimin e tyre, për kushtet e arsimimit, për kushtet e jetesës, për sigurinë dhe mirëqenien e tyre!

Fëmijët tanë nuk janë dhunues e kavie eksperimentale për gazin lotsjellës, për shkopinjtë e hekurit e dhunën barbare që pamë gjatë ditëve të fundit!

Nga ana tjetër, djemtë e vajzat tona, që shërbejnë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë sociale, nuk duhet të jenë objekt dhunimi, sharjesh, poshtërimi e urrejtjeje, se edhe ata janë bij nanash e prindër fëmijësh të këtij vendi!

Allahu i Madhëruar e ruajt këtë tokë dhe shoqërinë shqiptare nga axhendat e tjetërsimit, poshtërimit, varfërimit, zhvatjes, e ndërtimit mbi harame, që së bashku tërheqin mallkimet e Zotit mbi vepruesit e tyre dhe njëkohësisht e përdhosin emrin e vendit tonë dhe historinë e tij, por e bëjnë edhe jetën në këtë vend, si realitetet e mjegullta, ku të merret fryma e të mungon ajri i pastër!

Allahu i Madhëruar i ruajt fëmijët tanë, rininë tonë dhe mbarë popullin shqiptar nga anarshia, orkestrimi i vëllavrasjes, devijimi dhe tërheqja drejt errësirave shkatërrimtare!

Allahu i Madhëruar i shëroftë të lënduarit e këtyre ditëve dhe e paqtoftë këtë realitet, me atë që është më e mira për të sotmen dhe të ardhmen e vendit dhe shoqërisë sonë!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
(Hytbeja dhe Mesazhi i xhumasë, më 16 tetor 2026, në xhaminë e Parrucës)

_________________________

[1] Kur’ani, El-Bekare: 30.

[2] Transmetuar nga Imam Tabaraniu, Imam Begaviu dhe Imam Ebu Nuajmi, nga Rebia ibn Amr El-Xhershi (r.a).

[3] Kur’ani, El-Bekare: 126.

[4] Transmetuar nga Imam Buhariu dhe Imam Muslimi, nga Nana e jonë, Hz. Aishja (r.a).

[5] Haxhi Vehbi Sulejman Gavoçi, Letër Malli, botuar në gazetën “Drita e Dijes”, nr. 34, shkurt 2002.

[6] Transmetuar nga Imam Buhariu në El-Edebul-Mufred dhe Imam Tirmidhiu, nga Seleme ibn Ubejdilah ibn Mihsan El-Hatmij, nga baba i tij (r.a).

[7] Transmetuar nga Imam Ebu Ja’la, Imam Tabaraniu dhe Imam Bejhekiu, nga Nana e jonë, Hz. Aishja (r.a).

[8] Transmetuar nga Imam Tabaraniu.

[9] Hadith kudsi, transmetuar nga Imam Muslimi, nga Hz. Ebu Dherr El-Gifari (r.a).