Mbërrijnë shëndosh e mirë haxhilerët e Shkodrës

Mbërrijnë shëndosh e mirë haxhilerët e Shkodrës

Mbërrijnë shëndosh e mirë haxhilerët e Shkodrës

Ditën e martë në mbrëmje, më 17 qershor 2025, kanë mbërritur në Shkodër haxhilerët e këtij viti, që për 20 ditë kanë kryer në Meke dhe Medine ritet e Haxhit.

Në pritje të haxhilerëve, në aeroportin e Rinasit, ka dalë Myftiu i Shkodrës, Imam B. Muhamed Sytari, i cili pasi është takuar me haxhilerët dhe është interesuar për shëndetin dhe Haxhin e tyre, i ka shoqëruar ata drejt Shkodrës.

Te xhamia e Parrucës, imamë, besimtarë dhe familjarë të shumtë kanë dalë për të pritur të dashurit e tyre. Të rrethuar nga tekbiret e minareve të xhamisë së Parrucës, ata kanë zbritur njëri pas tjetrit, duke u përqafuar me familjarët dhe imamët e xhamive.

Haxhilerët kanë dhënë edhe intervista të shumta për mediat e pranishme, që janë interesuar të marrin përshtypjet dhe emocionet e tyre të para pas mbërritjes në vendlindje.

Ndërsa, Myftiu i Shkodrës, ka deklaruar para medias se: “Para ca netësh i uruam rrugën e mbarë haxhilerëve, ndërsa sot i urojmë mirëseardhjen. Të shoqëruar me këto tekbire, që na e çojnë zemrën peshë marrim emocionet më të mëdha të mbërritjes në Shkodër të mbi 100 haxhilerëve të Shtëpisë së Allahut, të cilët këtë vit e kanë pasur fatin e mirë të bashkohen me miliona besimtarë muslimanë nga mbarë bota, ku bashkërisht janë lutur në vendet më të mira të globit, në kohë të çuditshme dhe në kohë sprovash, e në kohë paradoksesh.

Mirëpo, bekim i madh për ne është, që nga qyteti jonë janë një grup i madh besimtarësh, të cilët i janë përgjigjur ftesës së Allahut. Të gjitha këto na bëjnë të ndihemi mirë dhe na fton të meditojmë dhe të mendojmë, se Zoti na do dhe na fton të shkojmë pas thirrjes së Tij, të shkojmë drejt bardhësisë, drejt udhëzimit dhe të shkojmë drejt asaj, që është pëlqimi i Allahut në jetën tonë të përkohshme të kësaj bote.

I uroj me zemër mirëseardhjen haxhilerëve tanë dhe inshallah me gjynahe të falura dhe me lutje të pranuara!”.

Kujtojmë, se këtë vit nga Shkodra kanë qenë 104 haxhilerë.