Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, Atij që na sheh e na dëgjon, na furnizon me begatitë e Tij, që asnjëherë nuk sosen dhe kurrë nuk pushojnë së vërshuari ndaj krijesave të Tij, të njohura e të panjohura nga raca njerzore! Urdhëron dhe thotë në suren e Hz. Nuhut (a.s): [Unë u thashë: “Kërkojini falje Zotit tuaj, se Ai vërtetë është Falës i madh; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj! Ç’është me ju, që All-llahut nuk i shprehni madhërimin që i takon? Kur Ai ju krijoi në disa etapa!”
Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë e në çdo ditë e moment të jetës sonë, Ma të Mirit e Ma të Shtrenjtit, Hz. Muhammedit (a.s), i cili udhëzonte: “Si do të veproni atë ditë kur do të devijojnë të rinjtë tuaj dhe do të shthurren gratë tuaja?” I thanë: A do të ndodhë kjo, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” I thanë: E çfarë mund të jetë më shumë se kaq? Tha: “Si do të veproni atë ditë, kur nuk do të urdhëroni më për të mirë dhe s’do e ndaloni më të keqen?” I thanë: A do të ndodhë kjo, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” I thanë: E çfarë mund të jetë më shumë se kaq? Tha: “Si do të veproni atë ditë, kur do të urdhëroni për të keq dhe do ta ndaloni të mirën?” I thanë: Edhe kjo do të ndodhë, o i Dërguar i All-llahut? Tha: “Edhe më shumë se kaq do të ndodhë!” I thanë: E çfarë mund të jetë më shumë se kaq? Tha: “Si do të veproni atë ditë, kur do ta shihni të mirën të keqe dhe të keqen të mirë?!”
Të dashur dhe të nderuar vëllezër dhe motra, besimtarë dhe bashkëqytetarë të mi,
Në takim e kësaj fillimjave, bashkë me imamët e nderuar, bashkëbiseduam rreth realiteteve të përditshme të vendit tonë. Ndamë së bashku mendime të vyera e plot dobi në lidhje me alternativën e besimit, që e shohim të arsyeshme ta vendosim si këshillë të sinqertë para duarve të shoqërisë sonë, duke pyetur, tamam siç Kur’ani pyet: “Ku po shkoni?”, ndryshe thënë: Ku po përfundon ky rrugëtim i paorientuar i shoqërisë shqiptare?
Dikur, luftohej me të madhe besimi dhe feja, si shkak prapambetjeje dhe rrezik fanatizmi. Sot, morali i besimit dhe fesë është hedhur mënjanë; haramet dhe sprovat që pasojnë praktikimin e tyre në masë, kanë mbytur vendin, si një mjegull e padëshiruar, që të pengon pamjen dhe të vështirëson ecjen përpara!
Ku po shkon shoqëria shqiptare, individi shqiptar, që përpëlitet në mes të propagandave të reja, të veshura me turlitakam rrobash e maskash, si e si ta tërheqin drejt humnerës së degradimit moral e human, për t’u kthyer më e mira e krijesave të Zotit; Njeriu, në kavie eksperimentale në laboratoret e pasuesve të së keqes dhe frymëzuesve të saj?!
Është gjynah, pasha All-llahun, ajo çfarë shohim e dëgjojmë të përhapet çdo ditë në vendin tonë!
All-llahu Mëshirëplotë, urdhëron në Kur’anin Famëlartë: “E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’u jepnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, prandaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan!”
Vëllezër dhe motra,
Hapni sytë dhe pendohuni, kthehuni nga Zoti me një pendim të pakthyeshëm dhe deklaroni paqtimin me Zotin e botrave, për të dëshmuar kthimin e begatisë, qetësisë, sigurisë, mirëqenies e harmonisë në mes nesh!
Po humbet besimi në Zot, frika e Tij! Po kthehet e keqja në moral dhe morali në prapambejtje! Po paragjykohen bijat tona për hixhabin e besimit dhe djemtë tanë për ruajtjen e nderit dhe distancimin nga haramet dhe ndalesat e shumta, që sot shiten si liri e nevojë e kohës!
Po nëpërkëmbet Zoti, feja dhe prindi! Po mohohet Zoti dhe po kërkohet të heshten minaret e besimit! Po vriten nana dhe baba, po mbytet gruaja dhe fëmija, po bekohet shthurrja dhe devijimi në emër të vlerave evropiane! Vlerat tona ne i peshojmë me Kur’an dhe me udhëzimet e Hz. Muhammedit (a.s); po peshuan, mirë se të vijnë, e nëse jo, nuk hyjnë në sytë tanë, as duhet të lejohet përhapja e tyre në mes nesh! Vlerat i çmojmë me peshoren e besimit tonë, jo çfarë na jepet si kuti e dyllosur që duhet pranuar symbyllur!
Zgjohuni dhe hapni sytë! Mos lejoni që mbetjet e të tjerëve të na shiten për pasuri e nder! Mos lejoni që fëmijët t’jua marrin për duarsh e t’jua konvertojnë në djaj të vegjël, që nesër do ta shkatërrojnë Shqipërinë, më shumë se ç’është shkatërruar e sfilitur!
Ne jemi muslimanë; e kemi të shenjtë fenë, jetën, mendjen, nderin dhe pasurinë! E kemi të shenjtë ta ndërtojmë jetën me vlerat e besimit tonë, sikurse e kemi të shenjtë ta ndalojmë të keqen dhe ta mbrojmë të mirën me krejt fuqitë që kemi!
Këto ditë kemi dëshmuar krime dhe vrasje, padrejtësi e zaptime, jemi përballur me zullume të panumërta në sakrificën tonë për ruajtjen dhe zhvillimin e pronave tona legjitime, si: në Zdralej, Zogaj, Qafë, Dudas e shumë e shumë vende të tjera, ku shohim neglizhencën e Bashkisë, Prokurorisë, Gjykatës, por jo vetëm, për të çuar në vend një hak të nëpërkëmbur prej dekadash..!?
Po ndjekim me shqetësim të madh përhapjen e zjarreve përreth Shkodrës dhe mbarë vendit, thatësirën e kësaj stine, që e tejkalon natyrën e zakonshme të verës në vendin tonë, mungesën e reshjeve begatuese, shoqëruar me përhapjen në masë të alkoolit, muzikës shurdhuese pa asnjë kriter disiplinues, lakuriqësinë dhe përhapjen e imoralitetit, tradhëtitë bashkëshortore dhe divorcet përherë e në rritje për shkak të devijimit nga besimi dhe morali i fesë, abortet abuzive dhe përhapjen e drogërave të ndryshme, kultivimin e bimëve narkotike dhe shtimin e fajdeve, përhapjen e injorancës dhe veshjen e saj me kollare e kostum, por jo vetëm kaq!
Ku po shkon individi dhe shoqëria e jonë?
Është momenti më i mirë, që në këtë muaj të shenjtë, prej muajve hurum, të kthehemi nga Zoti e të kërkojmë falje, të pendohemi me zemër që në këtë moment; gjithësecili të bëjë nijet të sinqertë në zemrën e tij dhe t’i premtojë Zotit në heshtje, për të rregulluar diçka në sjelljen e tij, në familjen e tij, me bashkëshorten e tij, me fëmijët e tij, me farefisin e të njohurit, të kontrollojë gjuhën e t’i vejë fre asaj, të mos tolerojë sharje e fyerje, sepse gjuha që shan është e padenjë për të dëshmuar mirësi e bekime nga Zoti! Si mund ta lutësh Al-llahun me një gjuhë, që të është pezmatuar nga lloj-lloj fjalësh të pakontrolluara që dalin prej saj? Ajo gjuhë ka nevojë për një gusël të madh për ta pastruar nga xhunubllëku i hutimit!
Është momenti të ndahemi nga injoranca, të ftojmë shoqërinë tonë të distancohet nga kumari, nga lojrat e fatit, nga alkooli dhe ushqimet e pakontrolluara, nga mashtrimi dhe abuzimi me jetën e tjetrit; duke nisur nga bizneset dhe industria e ushqimit, bujqësia dhe blegtoria, peshkimi dhe tregëtia!
Kinie frikë Zotin dhe tutuni nga ndëshkimi i Tij! Merrni mësim nga e shkuara dhe mos e shitni fenë dhe nderin, karakterin dhe kombin! Mos u largoni nga toka e juaj e mos ia ktheni shpinën Shkodrës e Shqipërisë! Ata që e kanë katandisur vendin në këtë greminë, nuk meritojnë ta drejtojnë të sotmen dhe të ardhmen e tij, ndërsa ata që janë besuar ta udhëheqin vendin dhe të ardhmen e tij, ta kenë frikë Zotin e të pendohen para duarve të Tij, duke u lutur që të nderohen me pergjegjësinë që kanë mbi supe, se ka Zot e ka ditë llogarie, kur ca fytyra do të ndriçojnë e ca të tjera do të nxihen!
Thirrja e Myftiut dhe e imamëve tuaj sot, është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë: Të kthehemi nga All-llahu e të kërkojmë falje, të pendohemi e të lutemi për bekim e mirëqenie, ta dëbojmë shejtanin dhe partinë e tij nga jeta e jonë, të distancohemi nga e keqja dhe haramet dhe të mbrojmë fëmijët, rininë, familjen e kombin nga devijimi dhe shthurrja!
Të kapemi fort pas Kur’anit dhe Traditave të Hz. Muhammedit (a.s), të pastrojmë zemrat nga paragjykimi e smira, urrejtja e intrigat ndaj njëri-tjetrit, mos ta lakmojmë pasurinë e tjetrit, por të punojmë fort për pasurimin e vendit, nëpërmjet pasurimit tonë nga rrugët e hallallit!
Të mbrojmë fort trashëgiminë e të parëve, gjurmët dhe dritën e tyre, ta dëshmojmë besimin dhe fenë tonë kudo, mos të kemi ndrojtje për ta thënë të vërtetën, edhe nëse të gjithë do ta kundërshtojnë atë!
Lutja e sinqertë i ka dyert e hapura dhe lutja e jonë drejtuar All-llahut, mbështetet në besim e bindje, në shpresë e përulësi para duarve të Atij që ka në dorë gjithësinë dhe kur e do diçka e urdhëron: “Bëhu!” dhe bëhet!
All-llahumme na fal dhe na prano, na udhëzo dhe na begato, na dhuro paqtim dhe na gëzo me begatitë e Tua të pakufijshme, ja All-llah! Begatoje Shkodrën tonë, ruaje Shqipërinë dhe qytetarët e saj, bekoje tokën tonë dhe lësho mirësitë e qiellit mbi të, që të gëzojë i madh dhe i vogël, bima dhe kafsha, çdo gjallesë mbi tokë, ja Errhamerr- Rrahimine!
Amin, vel-hamdu lil-lahi Rabbil-alemine!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 11 gusht 2017