Mbrëmjen e së xhumasë, më 19 janar 2018, në xhaminë e “Dy Vajzave” u zhvillua një aktivitet fetar me temë: “Lehtësoni, mos vështirësoni..!”.
Aktiviteti i Myftinisë Shkodër, në bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, mblodhi shumë të rinj, imamë e teologë, intelektualë dhe frekuentues të xhamive të ndryshme, në një mbrëmje të dëshmuar për frymën e besimit, qytetarisë dhe harmonisë islame.
Aktiviteti u përshëndet nga imami i xhamisë, teologu Lavdrim Hamja, si dhe përfaqësuesi i AIITC, Tiranë, teologu Genci Aga, të cilët përcollën falënderimet dhe lutjet e tyre për mbarësinë e këtij aktiviteti dhe kënaqësinë e tubimeve ku gjallërohet jeta kulturore e fetare e besimtarëve dhe ku dobitë janë të panumërta.
Më pas, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari mbajti fjalën e rastit, ku përqendrua tek madhështia e mesazheve të Hz. Muhammedit (a.s) dhe bekimet që ato i sollën njerëzimit. Njëkohësisht tha, se përtej propagandave antiislame dhe luftës së hapur kundër Islamit dhe muslimanëve, përherë në rritje, besimtarët duhet të ruajnë qetësinë dhe të praktikojnë fenë e tyre në liri dhe me përkushtim.
Ligjëratën e mbrëmjes e mbajti Myftiu i Malësisë së Madhe, H. Edmir Smajlaj, i cili dha shpjegime të shumta rreth hadithit: “Lehtësoni, mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos i largoni njerëzit!”.
Nëpërmjet shembujve të larmishëm dhe këshillave të ndryshme, Myftiu i nderuar dha mesazhe që lidhen me raportet e ekuilibruara që duhet të ketë muslimani në jetë, me veten dhe me shoqërinë, sidomos në adhurimet karshi Zotit dhe detyrimeve karshi krijesave të Tij.
I ftuar special në këtë mbrëmje ishte edhe studenti i teologjisë në Fakuktetin e Shkencave Islame në Prishtinë, Besian Morina nga Gjilani i Kosovës, i cili këndoi pjesë kur’anore dhe ilahi me të cilat dhuroi emocione të bukura.
Për të pranishmit ishte përgatitur edhe një koktejl, sikurse u shpërnda literaturë islame, nga botimet e reja të Myftinisë Shkodër dhe AIITC.