Ditën e martë, më 18 maj 2021, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, priti në zyrën e Myftinisë Shkodër, të nderuarin Imam Didmar Faja, kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili ndodhet për një vizitë në vendlindjen e tij, Shkodër.
Pasi i uroj mirëseardhjen Imam Fajës në qytetin e Shkodrës, Myftiu e njohu me veprimtaritë e ndryshme të Myftinisë në këtë periudhë, sidomos gjatë muajit të begatë të Ramazanit që sapo kaloi.
Myftiu Sytari vlerësoi gjurmët e Imam Didmar Fajës në ShBA dhe Meksikë dhe numrin në rritje të të konvertuarve në Islam nga këto vende, që sipas tij janë sihariq i mirë, që na gëzon pa masë dhe na vërteton ditë pas dite se ky shekull, është shekulli i Islamit.
Ndërsa, kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar të Arizonës e njohu Myftiun e Shkodrës për aktivitetet dhe misionin fisnik të institicionit që ai drejton në Arizona, sidomos në përhapjen dhe përçimin e Islamit tek brezat e ndryshëm, sidomos tek të rinjtë amerikanë.
Të dy titullarët diskutuan edhe për zhvillimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimeve në mes dy institucioneve përmes aktiviteteve kulturore, arsimore, shkëmbimit të eksperiencave, si dhe shërbimet ndaj Thirrjes Islame dhe domosdoshmërinë e koordinimit të faktorit musliman shqiptar, kudo nëpër botë.