Myftiu: “Ne nuk jemi ymet i dështimit dhe Islamin nuk na e mësojnë të pafetë!”

Ditën e shtunë, më 22 janar 2022, pas namazit të akshamit, në vigjilje të Muajve të Mirë, Myftinia Shkodër zhvilloi një takim me të rinjtë e xhamisë së Zuesit.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili ligjëroi rreth temës: “Të rinj që nuk thyhen”.

Myftiu uroi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë takim me vlera dhe dobiprurëse, sidomos për brezin e ri, i cili duhet të jetë në qendër të vëmendjes nga të gjithë aktorët dhe faktorët institucional.

Korrektësia dhe vlera e kohës, shfrytëzimi i saj dhe qëndrueshmëria në besim ishin disa nga elementët bazë që Myftiu Sytari trajtoi në ligjëratën e tij.

Ai kërkoi që besimtarët t’i çmojnë ato përmes sjelljeve të tyre, edukatës dhe shembullit në shoqëri, duke u dëshmuar njerëz me vullnet të fortë për të ndërtuar vlera e dhuruar pozitivitet në jetë.

“Mos e humb shpresën, sepse ti je në kontakt të vazhdueshëm me Allahun. Si mund të humbësh ti? Ti që bën dhikr çdo ditë! Ti që thua: ‘Allahu ekber’ me dhjetëra herë në ditë…

Ne, në mënyrë kategorike nuk e njohim frikën. Ne nuk e njohim thyerjen në jetë, sepse ne ecim përpara; në biznes, në politikë, në marrëdhëniet sociale, në familje, në shkollë dhe kudo që jemi.

Ne ecim përpara, sepse ne nuk jemi ymeti i të thyerve. Ne nuk thyhemi asnjëherë! Ne, jemi ashtu siç ka thënë Allahu: ‘Qëndroni dhe kujtoni shumë Zotin’. Dhe rezultati pas qëndrimit të palëkundur dhe përmendjes së Allahut është sipas Kuranit: ‘Në mënyrë që të triumfoni’. Triumf garant!…” – tha Myftiu.

Pas shumë këshillave dhe mesazheve të ndryshme, Myftiu i Shkodrës në fund të bisedës së tij iu drejtua të rinjve të pranishëm me këto fjalë: “Ne besimtarët muslimanë nuk jemi ymet i dështimit, ne jemi ymet i forcës, jemi ymet i organizimit, i zhvillimit, i ecjes përpara, jemi ymet i çdo të mire.

Është haram për ne, të qëndrojmë prapa, të na drejtojnë të tjerët në fenë tonë. Është e pafalshme për ne të na e mësojnë fenë tonë të pafetë si dhe të na udhëzojnë në rrugën tonë të pafetë!

Është e patolerueshme të na tregojnë se si me u sjellë ne fenë tonë ta pafetë, dhe të na tregojnë të tjerët vijat e kuqe, këtu bën e aty nuk bën, të pafetë! Jo, kjo nuk është feja jonë, ky nuk është modeli ynë, kjo nuk është rruga jonë!

Rruga jonë është: rruga e mbarësisë së Allahut (xh.sh), e të mbështeturit tek Zoti dhe të punuarit fort pa e kthyer kokën pas dhe pa u ndaluar në asnjë moment!” – citoi më tej Imam Muhamed Sytari, duke përfunduar ligjëratën e tij para të rinjve të xhamisë Zues.

Kujtojmë se cikli i ligjëratave dhe aktiviteteve të tjera të larmishme në kudër të Tre Muajve të Mirë do të vazhdojnë edhe në xhami të tjera të zonës Shkodër.

Ligjërata e plotë: