Hoshgjéldën..!

Hoshgjéldën..!

Vizitat e njerëzve të mëdhenj dhe miqve të shtrenjtë, janë përherë burim kënaqësie dhe një lloj ripërtëritjeje e rendit e shendit, pa përmendur begatinë e harenë që na përfshin pa përjashtim.

E tillë është edhe vizita e presidentit të Turqisë, Sh.T.Z. Rexhep Taip Erdoğan, ditën e hënë, më 17 janar 2022, në vendin tonë.

Është një lajm i mirë për vendin tonë dhe forcimin e mëtejshëm të lidhjeve të domosdoshme dhe shekullore që ne kemi me njëri-tjetrin, si dy popuj, që për shekuj e shekuj ndamë së bashku fatet, nën çatinë e madhe të hilafetit osman, ku arnautët dhe turqit, bashkë edhe me kombësi të tjera, udhëhoqëm botën dhe shpërndamë gjithandej qytetërimin e vlerave tona të mrekullueshme islame dhe njerëzore!

Është lajm i mirë për të sotmen dhe të ardhmen, për marrëveshjet dhe mirësitë e bashkëpunimeve turko-shqiptare në sfera të ndryshme, në dobi të vendit dhe mirëqenies së shqiptarëve pa dallim!

Për mua, në pozitën e Myftiut të Shkodrës, patjetër, që premtimi i presidentit Erdoğan për restaurimin e Xhamisë së Plumbit, mbetet një fjalë e rëndësishme dhe një ëndërr shekullore, të cilën e kam vlerësuar që në momentin e parë të dhënies së saj, dhe për të cilën, kam falënderuar publikisht edhe kryeministrin e vendit tim gjatë vizitës së tij në Xhaminë e Plumbit; që patjetër duhet të ndjehet i lumtur për këtë fat të madh në jetën dhe karrierën e tij politike!

Edhe për këtë fakt, Reisi mirë se të vijë në një tokë e në një vend që e duan dhe e vlerësojnë më shumë sesa shfaqet; që e nderojnë dhe e besojnë, si rrallëherë president në botë!

Shembulli dhe botëkuptimet tona islame prej shekujsh janë të lidhura ngushtë me Turqinë, e kështu do të vazhdojnë të jenë, përtej politikës dhe axhendave të cilitdo individ a lëvizje, që gjithsesi mbetet krejt i papërfillshëm përballë frymës së përgjithshme të fetarizmit islam dhe nuancës së tij tek ne!

Kjo lidhje historike që kemi me turqit, është shumë më shumë e prekshme dhe identitare, sesa me krejt vendet e tjera të botës islame, që gjithsesi kanë vendin dhe pozitën e merituar që i takon secilit në këtë marrëdhënie të shtrenjtë e të shenjtë!

Dhe, sa më shumë që afrohen këto lidhje, aq më shumë mbrohen dhe konsolidohen shtresat e padukshme që mbajnë ekuilibrat e këtij tabani identitar ndër ne!

Prandaj, ruajtja e shinave dhe mostolerimi i ndryshimit të kursit, duhen trajtuar me urtësi dhe largpamësi, duke mos shkuar pas tekave të verbra të askujt, as ambicieve të shtirakëve gjithandej, si dhe duke vënë interesin e bashkësisë së gjerë muslimane dhe atë të interesit tonë kombëtar mbi çdo interes tjetër të kujtdo qoftë dhe ushqyesit e tyre prej andej-këndej, kudo qofshin!

Hoshgjéldën..!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 17 janar 2022