Ditën e mërkurë, më 5 prill 2017, në xhaminë e Trushit, u zhvillua një aktivitet i bukur fetar, kushtuar përkujtimit të lindjes, jetës dhe traditave të Hz. Muhammedit (a.s).
Pas leximit të një pjese kur’anore nga H. Shukri Kapllan, fjalën e rastit e mbajti imami i xhamisë, H. Jetmir Braqi. Në fjalën e tij, imami i nderuar theksoi se tubime të tilla, ku përkujtohen vlerat e besimit, bëhet dhikër e përmendet me salavate Hz. Muhammedi (a.s), kanë bekimet e All-llahut të Madhëruar dhe mëshirën e Tij.
Ligjërata e rastit u mbajt nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili hodhi dritë mbi rëndësinë që ka mbajtja e besës së fesë në jetë.
Myftiu tha se, sot, kudo nëpër botë muslimanët paragjykohen për diçka që nuk janë, as e kanë në thelbin e fesë së tyre. Ai kërkoi nga të pranishmit që ta ruajnë me dinjitet fenë e tyre, ta dëshmojnë Islamin me vepra dhe mos të pranojnë nga askush, për asnjë arsye, nënçmimin e Islamit dhe etiketimin e tij me vulgaritetet e papranueshme, që dëgjohen sot.
Aktiviteti vijoi me këndimin e ilahive dhe pjesëve të Mevludit të H. Ali Ulqinakut, shoqëruar me salavate dhe lutje të përbashkëta për të mirën e komunitetit, Shkodrës, Shqipërisë e mbarë ymmetit islam.