Nëpërmjet profilit të tij në facebook, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka dënuar sulmet e kryera ndaj kishave në Tanta dhe Aleksandri të Egjiptit, ditën e dielë, më 9 prill 2017.
Në mesazhin e tij, Myftiu ka theksuar, se:
“Goditja e kishave kopte në këtë atmosferë feste për botën e krishterë, (por edhe po të mos ishte e tillë, nuk ndryshon gjë në këtë mesazh), përveçse një veprim i djallëzuar, dëshmon se tentakulat e së keqes janë përhapur më shumë sesa mund të mendojë njeri!
Kush prek vendet e adhurimit, do të thotë se ka një besë të fortë me të keqen, me shejtanin, me errësirat e skutave! Kush prek vendet e adhurimit është në drejtim të kundërt me rrjedhat e qytetërimit, besimit, humanizmit dhe lirisë në jetë!
Vrasja e besimtarëve në kisha, njësoj si vrasja e tyre në xhami, pak ditë më parë, është një sinjal i fortë për të zotët e arsyes, për besimtarët e krejt feve, për liderët botëror të Paqes e Vlerave, se duhet më shumë angazhim për të çliruar botën nga idhujtaria e djajve, armiqve të Humanizmit, pa dallim feje, race, kombësie!
Dënoj me zemër këtë veprim të ulët dhe çnjerëzor, me të njëjtin zemërim, që kam dënuar dhe dënoj shkatërrimin e objekteve të adhurimit a lëndimin e besimtarëve të cilësdo fé në botë!
Sepse në fund të fundit, njeriu është vëlla i njeriut, ndërsa e drejta e besimit dhe përzgjedhjeve në jetë, është çështje personale, për të cilën, njeriu, llogarinë e tij e ka me Zotin, jo me robin; musliman, i krishterë, a çfarëdo qoftë!
Kushdo që prek vendadhurimet dhe vret besimtarë të pafajshëm, është armik i Zotit, armik i Njerëzimit!”