Pasditën e së hënës, më 8 maj 2017, në vazhdën e ciklit të ligjëratave në prag të Ramazanit 1438/2017, Myftinia Shkodër organizoi në ambientet e jashtme të xhamisë së “Dy Vajzave” një pasdite të larmishme me tematika të dobishme rreth vlerave dhe dobive të Muajit të Begatë të agjërimit.
Në hapje të këtij tubimi me vlerë, imami i xhamisë, teologu Lavdrim Hamja theksoi se ky cikël aktivitetesh ka për qëllim sensibilizimin e xhemateve dhe masës së qytetarëve me vlerat dhe dobitë e agjërimit të Muajit Ramazan dhe forcimin e marrëdhënies me fenë dhe besimi.
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili vlerësoi se tubime të tilla kanë një përfitim të madh e të garantuar, qoftë në aspektin besimor, intelektual e shpirtëror.
Sipas programit, u pezantuan ligjëratat e mëposhtme:
1. “Ramazani, muaj i agjërimit ndër shekuj”, përgatitur nga teologët Arben Halluni dhe Ervil Kuçi.
2. “Agjërimi tek sahabët (r.a)”, nga imami i xhamisë Parrucë, teologu Naim Drijaj.
3. “Agjërimi dhe shëndeti”, nga imami i xhamisë Perash, teologu Adem Pizga.
Për të pranishmit u shpërnda edhe numri i ri i gazetës “Udha Islame”, si dhe kalendarët e Muajit Ramazan 1438/2017.
Stacioni i radhës do të jetë ditën e enjte, më 11 maj 2017, në xhaminë e Kirasit, sipas këtij programi:
E ENJTE, 11 MAJ 2017, ora: 18.00 – XHAMIA KIRAS
1. “Muaji i Ramazanit, në të cilin zbriti Kur’ani” – Altin Nikshiqi.
2. “Ramazani, muaji i xhematit” – Ruzhdi Plangaj.
3. “Ramazani, muaji i bamirësisë” – Lavdrim Hamja.