Të shtunën, më 19 gusht 2017 është nisur grupi i parë i besimtarëve muslimanë nga Shqipëria që udhëtojnë drejt vendeve të shenjta, në Mekë dhe Medine për të kryer kushtin e pestë të shtyllave të Islamit, obligimin e Haxhit.
Këtij grupi haxhilerësh të sivjetshëm u janë bashkuar 42 besimtarë nga Shkodra, një numër më i lartë se vitet e tjera, të cilët u përcollën nga familjarët e tyre, të afërm, nga besimtarë të shumtë si dhe nga përfaqësues të Myftinisë Shkodër.
Besimtarë të shumtë dhe familjarë e të afërm të haxhilerëve të këtij viti, kishin mbushur oborrin e xhamisë së Parrucës, të cilët kishin dalë për të përcjellë e për të uruar vëllezërit dhe motrat e tyre, që po niseshin për “Udhëtimin e jetës”, kryerjen e një obligimi të madh dhe shtyllë e Islamit, obligimin e Haxhit.
Si çdo vit, Myftinia Shkodër kishte organizuar nisjen e haxhilerëve shkodranë me autobus drejt aeroportit të Rinasit, ku më pas do të bashkoheshin me haxhilerët e tjerë Shqiptarë, për të vazhduar rrugëtimin drejt më të shenjtës tokë në rruzull, Qaben e Madhërueshme.
Haxh dhe lutje të pranuara për të gjithë haxhilerët e mbarë botës islame!