Të xhumanë, më 18 gusht 2017, në xhaminë e Parrucës u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së ihrameve të haxhilerëve shkodranë të këtij viti.
Aktiviteti u përshëndet nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili tha se Islami është feja e krejt të dërguarve të All-llahut, si dhe balsami i munguar sot, për lëngatat e shoqërive njerëzore.
Myftiu dënoi edhe aktet terroriste të ditës së kaluar në Barcelonë, duke vënë theksin se Islami është feja e bardhësisë dhe ndërtimit të jetës me Dritën e Udhëzimit.
Hytbeja e kësaj jave dhe këshilla vjetore drejtuar haxhilerëve, u mbajt nga teologu Lavdrim Hamja.
Ai theksoi se Haxhi është një mundësi jete për të fituar bekimet e Zotit dhe xhennetin. Njëkohësisht tha se tubimi i miliona muslimanëve nga mbarë bota në një ditë të caktuar, në rituale të caktuara, mbetet një ndër dëshmitë më të mrekullueshme të forcës së besimit në jetën e njeriut.
Përshëndetja tradicionale me haxhilerët, pas namazit të xhumasë, mbetet një traditë e bukur e muslimanëve shkodranë, e trashëguar prej shekujsh.