Pasditën e së xhumasë, më 6 tetor 2017, Myftinia Shkodër organizoi në ambientet e bibliotekës së qytetit një aktivitet përkujtimor në nderim të veprës dhe aktivitetit të Hoxhës së nderuar shkodran, Hafiz Sheuqet Boriçi (1884-1965).
Shkak i këtij aktiviteti u bë botimi i broshurës me titull: “O njerëzit e Zotit..! – thirrja e urtë e Hafiz Sheuqet Boriçit”, punuar nga Imam Muhamed B. Sytari.
Në thelb të tij, studimi në fjalë përqendrohet në një hytbe xhumaje, mbajtur nga Hafiz Sheuqet Boriçi në vitin e largët 1940.
Hytbeja në fjalë përmban mesazhe të qytetëruara që lidhen me nxitjen për të punuar, për zhvillimin e ekonomisë, industrisë, bujqësisë, arteve dhe ruajtjes së ekuilibrave në jetë.
“Kush nuk punon, nuk ep dobí dhe nuk âsht i dobishëm, dhe ai i cili nuk âsht i dobishëm, âsht mâ i ulët se shtaza e egër!
Në qoftë se ka ndonji popull, të cilin e shtyn dhe e mpron Feja e tij mos me qëndruë statik në pikëpamje materjale, ai popull do t’ishin muslimanët, të cilët Feja e tyre i thërret për me i dhanë randësinë e duhur nevojave materjale, dhe i shtyn për me punuë për botën e tyre, me qëllim të plotësimit t’egzistencës së tyre botnore, tue kërkuë me formuë me ‘ta një ideal, një shëmbëll për popujt e tjerë, qi rrojnë mbi faqe të tokës.
Këtë gjâ e vërtetojnë edhe disa prej versetevet të naltë kuranor…” – thuhet në një pjesë të saj.
Aktiviteti u hap me fjalën e rastit, mbajtur nga teologu Arben Halluni, që u pasua me një referat mbi jetëshkrimin e Hafizit të nderuar, mbajtur nga teologu Naim Drijaj, imam i xhamisë Parrucë.
Një vështrim mbi botimin e ri dhe simbolikën e mesazheve të Hafiz Sheuqet Boriçi, e mbajti në referatin e tij, shkrimtari Xhahid Bushati.
Mbi vlerën dhe thelbin e kësaj hytbeje dhe botimit të ri, foli autori i tij, Imam Muhamed B. Sytari, Myfti i Zonës Shkodër.
Në fund të këtij aktiviteti, për të pranishmit, u shpërnda edhe botimi i ri kushtuar Hafiz Sheuqet Boriçi.