Paraditën e së enjtes, më 5 tetor 2017, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, bëri një vizitë në shtëpinë e imamit të nderuar, H. Selim Sykja.
Imami 85 vjeçar është kujdestar dhe shërbyes i zellshëm i xhamisë së fshatit Ura e Shtrenjtë, Postribë që në momentin e parë të ndërtimit të saj, si dhe në mënyrë sistematike nga viti 2002 e deri në vitin 2016.
Ai ka kryer me shumë pasion dhe përkushtim detyrën e imamit, hatibit dhe edukatorit fetar për dhjetra fëmijë frekuentues të rregullt të kurseve fetare të kësaj xhamie, deri para disa muajsh, kur u tërhoq nga shërbimet e rregullta për shkak të një lëngate shëndetësore.
Myftiu shprehu vlerësimet dhe mirënjohjen e tij personale dhe të Myftinisë Shkodër për të nderuarin, H. Selim Sykja, duke theksuar angazhimet e tij të sinqerta dhe vullnetare, në shërbim të Fjalës së All-llahut dhe fesë së Tij.
Ai i dorëzoi imamit të përkushtuar, H. Selim Sykja, Certifikatën e Mirënjohjes së Myftinisë Shkodër, duke theksuar se i është mirënjohës shembullit të njerëzve të përkushtuar për fenë islame, si z. Selim Sykja; përherë i gatshëm për të shërbyer, komunikues me besimtarët, njeri fisnik!
Nga ana e tij, H. Selim Sykja, nuk i fshehu dot emocionet për këtë vizitë dhe vlerësimin e Myftinisë Shkodër, sikurse ndau me Myftiun mendimet dhe porositë e tij për zhvillimin e mëtejshëm të aktivitetit të xhamisë dhe ecurinë e rregullt të tij.
Ai u lut për ecurinë e aktivitetit të Thirrjes Islame dhe gjallërimin e tij përherë e më shumë, sikurse falënderoi Myftiun dhe Myftininë Shkodër për vlerësimin.
Në këtë vizitë, Myftiu shoqërohej edhe nga imamët e nderuar, Lavdrim Hamja, Ervil Kuçi dhe Shkëlqim Sykja.