Xhamia në Bardhaj bëhet gati për Muajin e Begatë të Ramazanit

Prej një muaji, besimtarët e xhamisë së fshatit Bardhaj, me në krye imamin e tyre, H. Ilir Dizdari, këshillin e xhamisë dhe bamirësit në mes tyre, janë angazhuar maksimalisht në drejtim të mirëmbajtjes së xhamisë, duke nisur me pastrimin e saj sistematik, lyerjen e ambienteve të brendshme, ndrrimin e tapetit, sistemimin e oborrit, përsosjen e sistemit të ndriçimit nga brenda dhe jashtë, etj.

Krejt kjo punë e mbarë vjen si pjesë e përgatitjeve të xhamisë në pritje të Muajit të Begatë të Ramazanit.

Pavarësisht gjendjes së krijuar pas përhapjes së pandemisë së re, mesazhet që vijnë nga xhamia e fshatit Bardhaj, dhurojnë shpresë e optimizim, jetë e gjallëri, për të cilat kemi shumë nevojë sot, për të mundur frikën, ankthin e stresin, që përhap ditë pas dite propaganda e mbrapshtë e shpërndarjes së panikut ndër njerëz.

Myftinia Shkodër falënderon përkushtimin e madh të besimtarëve muslimanë në Bardhaj, sidomos në këto ditë dhe në veçanti për këtë përkushtim të madh ndaj xhamisë, që mbetet pikë referimi për jetën tonë!