Nata e Gjysmës së Shabanit është një moment, ku All-llahu i Madhëruar me mëshirën e Tij vështron krijesat e Tij, duke dhuruar bekime e falje, mëshirë e shpresë!
Imam Ahmedi transmeton nga sahabiu Abdull-llah ibn Amr (r.a.), nga i Dërguari i All-llahut (xh.sh.), i cili thotë: “All-llahu i Madhëruar vështron drejt krijesave të Tij, Natën e Gjysmës së Shabanit dhe i fal krijesat e Tij, përveç dy lloje njerëzish: ngatërrestarin dhe vrasësin!”.
Është një kohë për të thirrur veten drejt pendimit dhe kërkimit falje, drejt ndreqjes së gabimeve dhe heqjes dorë nga vese e devijime në sjelljen dhe komunikimin tonë, që na largojnë nga dyert e dashnisë së Krijuesit Mëshirëplotë!
Është një kohë për të shuar hasmëritë, për t’u paqtuar, për të sosur armiqësitë e ngatërresat e kota, që mbajnë njerëzit (në shumë raste edhe pjestarë të një familje a farefisi, larg e në grindje me njëri-tjetrin) në distanca zemërimi e mungesë komunikimi!
All-llahu i Madhëruar dëshiron që ne të jetojmë në harmoni me vlerat tona, në paqe e komunikim të vazhdueshëm, duke dhuruar mirësi e mëshirë, për të përfituar mirësi e mëshirë nga Dhuruesi dhe Poseduesi i tyre i vërtetë!
Nata e Gjysmës së Shabanit të këtij viti është një moment i mirë edhe për t’u lutur që Zoti i gjithësisë ta bëjë hajr këtë situatë që po kalon njerëzimi, të na mbulojë me mëshirë e butësi, e të na ruajë nga e keqja e kësaj gjendjeje që ka futur njerëzinë në vështirësi e ankth!
Është koha për të vërtetuar nëpërmjet lutjeve tona drejtuar Zotit të botëve se, ne si besimtarë, me disiplinimin tonë fetar, qëndrojmë në shkallën e dorëzimit para vullnetit të Zotit, por assesi të përfshirë në propagandat e panikut, tmerrit e hutimit, që po përhapen sot, gjithandej nëpër botë!
Ne jemi të thirrur të jetojmë me dinjitet, të përballemi me sprovat me dinjitet, të komunikojmë me dinjitet dhe të mos pranojmë çdo thirrje e propagandë, nga kushdo qoftë e sido qoftë, pa e kaluar në filtrat e mendimit të ekuilibruar, arsyetimit të shëndoshë dhe argumenteve bindëse!
Ne nuk i dijmë hajret e sprovave dhe mbi të gjitha ne besojmë fort se çdo gjë në këtë botë ndodh me dijen e Zotit të Plotëfuqishëm. Njëkohësisht, ky është momenti që të lutemi që All-llahu i Madhëruar të na udhëzojë drejt përmirësimit dhe rinisjes së një marrëdhënieje të re me Madhninë e Tij, me njëri-tjetrin, me familjen, me të afërmit, me mënyrën e perceptimit të së mirës dhe të keqes në jetë, në mënyrë që të përfitojmë nga ndodhitë e ditëve dhe të rritemi!
Transmeton Imam Tabaraniu dhe Ibn Hibbani në Sahihun e tij, nga Hz. Muadh ibn Xhebel (r.a.), se Resulull-llahu (a.s.) ka thënë: “All-llahu i Madhëruar vështron krejt krijesat e Tij në Natën e Gjysmës së Shabanit dhe i fal të gjithë krijesat e Tij, përveç atij që i bën shirk dhe ngatërrestarin!”.
Të ndalemi pak dhe të mendojmë. Po të shohim me vëmendje, shumica e grindjeve në shoqëri ndodh për shkaqe banale, për teka e kapriço, për një zemërim të pafrenuar, a një nxitim të papërmbajtur!? Që do të thotë se pajtimi është i mundur dhe krejtësisht i realizueshëm, kur vullnetet e mira vendosen në shinat e udhëzimit hyjnor!
Ky është momenti për t’u paqtuar e për t’ia bërë hallall njëri-tjetrit, për të fituar kënaqësinë e zemrës dhe rehatinë e shpirtit!
Kjo është thirrje, sidomos për ata që janë në hasmëri, që nuk shkojnë e nuk komunikojnë më në mes vete, për ata që kanë probleme brenda familjes, burrë-grua, vëlla-vëlla, motër-motër, etj.; boll më, për hatër të Zotit!
Bini lanet shejtanit dhe kthehuni për hatër të All-llahut të Madhëruar se Ai do e begatojë jetën tuaj me bekimet e Tij të pakufishme!
Fitoni kënaqësinë e Zotit të botëve, i Cili në këtë Natë të Madhe dhuron mëshirë e falje, sidomos për mëshiruesit e falësit në mesin e krijesave të Tij!
Është momenti më i mirë për t’u dëshmuar si robër të Zotit Një, jo robër të nefsit tonë, të tekave e kapriçove verbuese!
Imam Bejhekiu na tregon nga Nana e jonë Aishe (r.a.), në një hadith të gjatë, se Resulull-llahu (a.s.) i tregoi për Natën e Gjysmës së Shabanit, duke i thënë: “O Aishe, a e din ti se cila natë është kjo? Kjo është Nata e Gjysmës së Shabanit, në të cilën All-llahu fal ata që kërkojnë falje, mëshiron ata që kërkojnë mëshirë dhe lë në gjendjen e tyre të zotët e inateve dhe urrejtjes!”.
Prandaj falni dhe mëshironi, dhuroni mirësi dhe pendohuni, se dyert e mëshirës dhe faljes hapen në këtë Natë të Madhe për të përfituar kërkuesit e ndryshimeve të mëdha në jetë!
Shtoni adhurimet e lutjet, dhikret e salavatet, sadekatë e shenjat e mëshirës e dashnisë, sidomos me prindët, në familje, me farefisin e komshitë, me të afërmit e nevojtarët!
All-llahu ju begatoftë dhe ju dashtë!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 7 prill 2020