Në kuadër të takimeve vëllazërore të Muajit Ramazan dhe në kushtet e situatës që po kalojmë, Myftinia Shkodër organizoi ditën e xhuma, më 7 maj 2021, sofrën vëllazërore të iftarit për nder të Kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, H. Besim Berisha me kolegë.
Në fjalën e rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari falënderoi mysafirët nga Prizreni, sikurse theksoi se përtej kushteve të imponuara nga rregullat në fuqi, kjo sofër na bashkoi sërish, me dëshirën e mirë të ruajtjes së kësaj tradite të bukur, që na bashkon përherë e më shumë në rrugën e ruajtjes së vlerave më të mira të besimit dhe atyre kombëtare.
Myftiu falënderoi edhe miqtë e ftuar në këtë iftar vëllazëror, si dhe antarët e këshillit të Myftinisë Shkodër, për praninë e tyre në respekt të vëllezërve nga Prizreni.
Nga ana e tij, H. Besim Berisha falënderoi mikpritjen e Myftinisë Shkodër dhe uroi Myftiun për këtë Muaj të begatë dhe mirësitë e tij. Ai theksoi se tradita e bukur e takimeve të shpeshta në Prizren e Shkodër, është një gjurmë më shumë në rrugëtimet e përbashkëta në shërbim të mësimeve dhe udhëzimeve islame, si dhe një kontribut i vyer për ata që vijnë.