“Kjo të ka bërë të mbërrish në atë gradë!”…

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të botëve, i Cili nuk ka lindur prej kujt, as ka lindur dikush prej Tij. Ai nuk ka nevojë për asgjë dhe për askë dhe të gjithë ne jemi nevojtarë për mëshirën, bujarinë, begatinë, butësinë, rizkun, mbarësinë, frymën, ajrin, bukën, kripën, ujin, dritën, shëndetin, sigurinë, paqen, harmoninë, dijen, urtësinë, lehtësimin, vëllazërinë, bekimet dhe mbrojtjen e Tij!

Krijuesi i vetëm i gjithësisë urdhëron në hadithin kudsi: “O robët e Mi, Unë ia kam ndaluar Vetes Sime padrejtësinë, e kam bërë haram edhe në mes jush; prandaj, mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit! O robët e Mi, të gjithë ju jeni të devijuar, përveç atij që e kam udhëzuar; kërkojeni udhëzimin prej Meje, t’ju udhëzoj! O robët e Mi, të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që e kam ushqyer; kërkoni ushqim prej Meje, t’ju ushqej! O robët e Mi…”[1]

Salavatet dhe selamet më të përzemërta, ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua mëshirë për mbarë botët.

Nga këshillat e të dërguarit të All-llahut për ne ishte edhe kjo fjali plot urtësi dhe udhëzim, ku thotë: “Njerëzit do të vazhdojnë të jetojnë në mirësi, përderisa nuk do ia kenë zili njëri-tjetrit!”[2]

Të dashur e të respektuar vëllezër muslimanë,

Në hytben e kësaj jave, dua të ndalem tek një ngjarje e vetme e ndodhur në të gjallë të Resulull-llahut (a.s). Dua, që kjo ndodhi të jetë mesazhi i kësaj jave, besa e kësaj xhumaje, amaneti i saj!

Ngjarjen në fjalë e transmeton sahabiu i nderuar, Enes ibni Malik (r.a), që tregon sa vijon: “Po rrinim me të dërguarin e All-llahut (a.s), kur tha: “Tani do të shfaqet para jush një burrë prej banorëve të xhennetit!” Kur, u shfaq një burrë prej ensarëve (medineli), mjekra e të cilit pikonte nga abdesti, me të majtën mbante shapkat e tij.

Ditën e nesërme, Resulull-llahu (a.s) tha të njëjtat fjalë, pra: “Tani do të shfaqet para jush një burrë prej banorëve të xhennetit!” dhe, u shfaq i njëjti person.

Ditën e tretë, Resulull-llahu (a.s) tha të njëjtat fjalë, pra: “Tani do të shfaqet para jush një burrë prej banorëve të xhennetit!” dhe, u shfaq sërish i njëjti person. (Në një prej transmetimeve, thuhet se ai person quhej Sad ibn Malik[3])

Kur Resulull-llahu (a.s) u largua, Abdullah ibni Amr (r.a) iu vu nga pas atij personi, për të cilin Pejgamberi kishte thënë se është prej banorëve të xhennetit.

Pasi u takua me të, i tha: “Kam bërë fjalë me babain tim dhe jam betuar të mos hyj në shtëpi për tre ditë. Nëse ke mundësi të më strehosh, sa të kalojnë këto tre ditë.” Dhe, zotëria e tij pranoi duke e mirëpritur në shtëpinë e tij të riun që i kërkoi strehim.

Enesi (r.a) tregon se Abdullahu (r.a) i kishte treguar shokëve të tij më pas, se kishte fjetur tre netë në shtëpinë e zotërisë së përmendur. Nuk e kishte parë të ngrihej e të falej natën, vetëm se kur i dilte gjumi, bënte dhikër dhe tekbir, deri në momentin e namazit të sabahut.

Thotë: “Dhe nuk e kam dëgjuar të flasë, vetëm se fjalë të mira”

Pastaj vazhdon e tregon: “Dhe, kur kaluan tre netët dhe u habita nga e pakëta e veprave të tij, i thashë: O rob i All-llahut, nuk ka pasur në mes meje dhe babait tim asnjë mosmarrëveshje a grindje, por e kam dëgjuar Resulull-llahun (a.s) të thojë tre herë: “Tani do të shfaqet para jush një burrë prej banorëve të xhennetit!” dhe, në të treja herët na shfaqeshe ti. Prandaj, pata dëshirë të flej në shtëpinë tënde dhe të vështroj veprat që bën, që të ndjek rrugën tënde, por nuk të pashë që bëje ndonjë punë të madhe! Më thuaj, çfarë të bëri të mbërrije në atë gradë për të cilën na foli i dërguari i All-llahut (a.s)?”

Sahabiu i nderuar iu përgjigj: “Asgjë përtej asaj që pe!”

Thotë: [Dhe, kur mora të largohem prej tij, më thirri dhe tha: “Asgjë përtej asaj që pe, vetëm se nuk kam në zemrën time asnjë ndjenjë mashtrimi për ndonjërin prej muslimanëve dhe, nuk ia kam zili askujt për ndonjë të mirë që ia ka dhënë All-llahu!”]
Abdullah ibni Amri tha: “Kjo të ka bërë të mbërrish në atë gradë!”[4]

Të dashurit e mi,

Kjo është historia e kësaj jave. Ky është mesazhi, që ju ftoj ju dhe veten time, ta përvetësojmë, ta bëjmë natyrë, ta mundim egon dhe kapriçot personale, që shpesh bëhen shkak që njeriu të urrejë vëllanë e tij, t’ia ketë zili një të mirë që ia ka dhënë All-llahu (xh.sh), ta ketë inat e ta përçmojë!

Kemi nevojë që familja e sotme shqiptare të jetojë me zemër të paqtur; individët e saj ta pastrojnë zemrën nga zilia dhe urrejtja, sepse ato e djegin zemrën, harmoninë, dashamirësinë, mirëkuptimin dhe mirëqenien.

Kemi nevojë, që ne si muslimanë të lartësohemi në marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin, duke reflektuar këtë hadith në jetën e përditshme. Mos të kemi zili për gjëra të kësaj bote të përkohëshme. Mos t’i prishim zemrat e harmoninë për një mirësi me të cilën All-llahu i Madhëruar ka veçuar ndonjërin në mesin tonë, përkundrazi, të gëzohemi për tjetrin, njësoj si për veten tonë! Përndryshe, nuk na kanë dobi adhurimet, kur zemrën e kemi të mbushur me energji negative, akumulimi i të cilave shkakton prapësi në shoqëri.

Asgjë që nuk të është caktuar nga All-llahu i Madhëruar që ta kesh, nuk mund të bëhet e jotja nëpërmjet zilisë!

Të dashur të pranishëm,

Në përfundim të këtij mesazhi, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj fjalët e Resulull-llahut (a.s), kur thotë: “Ruajuni nga zilia (hasedi), sepse ajo i ha veprat e mira, si zjarri që ha drunjtë…”[5]

Vel-hamdu lil-lahi rabbil-alemine!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Plumbit)
Shkodër, më 25 mars 2016.


[1] Transmetuar nga Muslimi, nga Ebu Dherr Gifariu (r.a), nga Resulull-llahu (a.s), nga Zoti i gjithësisë.
[2] Transmetuar nga Tabaraniu, nga Damurete ibni Thalebe (r.a).
[3] Sikurse transmetohet nga Bejhekiu, nga Salim ibni Abdil-lah, nga i ati Abdull-llah ibni Omer (r.a).
[4] Transmetuar nga Imam Ahmedi, Nesaiu, si dhe Ebu Ja’la dhe Bezzari me afërsi.
[5] Transmetuar nga Ebu Davudi, nga Ebu Hurejra (r.a).

“Kjo të ka bërë të mbërrish në atë gradë!”…