Mesazhe të dobishme në prag të 10 ditëve të Dhulhixhes nga xhamitë e Shkodrës

Mesazhe të dobishme në prag të 10 ditëve të Dhulhixhes nga xhamitë e Shkodrës

Me udhëzim të Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ditën e xhuma, më 15 maj 2026, në të gjitha xhamitë e Shkodrës u ligjërua rreth vlerës së ditëve të Dhulhixhes, që sivjet nisin me datën 18 maj 2026 dhe që kulmojnë me ditën e Arafatit që pason me ditën e madhe të Kurban Bajramit.

Ditët e Dhulhixhes kanë një vlerë shumë të madhe në fenë islame. Burimi i kësaj mirësie gjendet në Kur’anin Famëlartë, ku në suren El-Fexhr, Allahu i Madhëruar urdhëron e thotë: “Pasha agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun! Pasha natën që shkon! A janë këto betime për të mençurin”?

Poashtu, i Dërguari i Allahut, Hz. Muhammedi (a.s) urdhëron e thotë: “Nuk ka ditë, që veprat e mira janë më të dashura tek Allahu, se sa në këto 10 ditë”. I thanë: As edhe xhihadi në rrugë të Allahut? Pejgamberi (a.s) tha: “As edhe xhihadi në rrugën e Allahut, përveç atij, i cili sakrifikon në rrugën e Zotit me pasurinë dhe me jetën e tij”. – (Transmeton Buhariu)

Kësisoj, në mbarë botën islame, besimtarët përkushtohet për të rregulluar adhurimet e tyre, për të shtuar bamirësitë dhe për të dëshmuar solidaritetin e tyre me njerëzit në nevojë në rrugën e afrimit me Zotin e gjithësisë.

Këto mesazhe e shumë të tjera që lidhen me këtë atmosferë të begatë, u transmetuan edhe sot në xhamitë e ndryshme të Shkodrës, ku imamët e nderuar patën mirësinë të udhëzojnë besimtarët drejt vlerës dhe madhështisë së këtyre ditëve që përkojnë edhe me shtyllën e pestë të fesë islame, Haxhin.

Sikurse dihet çdo vit në këtë periudhë të shenjtë të vitit, haxhilerë nga mbarë bota vërshojnë drejt Vendeve të Shenjta për kryerjen e këtij adhurimi të shumëpritur për mbarë ymetin islam.

Edhe sivjet nga qyteti i Shkodrës dhe nga mbarë Shqipëria me qindra besimtarë janë bërë gati dhe pas pak ditësh pritet të nisen drejt Mekës së Shenjtë për kryerjen e ritualeve të Haxhit.

Myftinia Shkodër ju fton që ta shfrytëzoni maksimalisht këtë periudhë të begatë që fillon me datën 18 maj 2026 dhe vazhdon deri me datën 27 maj 2026.

Agjërimi i këtyre ditëve është me shumë vlerë, poashtu dhikri, leximi i Kur’anit Famëlartë, bamirësia, sadekatë, etj.

Kulmi i kësaj periudhe të begatë është Dita e Arefatit,, agjërimi i së cilës ka një vlerë të posaçme në traditën e Hz. Muhammedit (a.s) dhe dita e Kurban Bajramit, një festë e madhe për mbarë ymetin islam, ku besimtarët që kanë mundësi janë të ftuar për të bërë kurbanet e tyre si shenjë afrimi me Zotin e gjithësisë, si përkujtim i ndodhisë së madhe të Hz. Ibrahimit (a.s) dhe të birit, Hz. Ismailit (a.s), dhe si dëshmim i solidarizimit që muslimanët kanë me njëri-tjetrin.