Ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës 1447/2026

Ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës 1447/2026

Ditën e hënë, më 18 maj 2026, në një atmosferë të begatë plot emocione, u zhvillua ceremonia e përcjelljes së haxhilerëve të Shkodrës për këtë vit.

Në prag të faljes së namazit të mesditës në xhaminë e Parrucës, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, u lut për grupin e haxhive të këtij viti, sikurse theksoi se prania e tyre në mesin e miliona haxhilerëve nga mbarë bota, është një bekim i madh për mbarë Shkodrën dhe kombin shqiptar.

Në një mesazh para mediave të pranishme, Myftiu Sytari, theksoi se përcjellja e haxhilerëve të Shkodrës është një traditë shekullore e muslimanëve të Shkodrës, si dhe një gëzim shumë i madh për të gjithë, për faktin e simbolikës që mbart në vete ky udhëtim jete.

Familjarë të shumtë, miq dhe dashamirë, uruan grupin prej 40 besimtarëve, që sot do të nisen nga aeroporti i Podgoricës, në një udhëtim direkt për në Xhidah, prej ku do të vazhdojnë udhëtimin drejt Mekës së bekuar për të hyrë në atmosferën e ritualeve të Haxhit të këtij viti.

Myftinia Shkodër uron rrugë të mbarë dhe adhurime të pranuara për haxhilerët e shtrenjtë!