“Bota sot ka nevojë për një Islam të qartë e të shëndoshë që shihet me sy!”

Tema e konferencës së sivjetshme vjetore, që është caktuar nga komisioni organizativ, ka në thelb të saj rininë dhe edukimin fetar.

Në fakt, është një temë e qëlluar, duke marrë parasysh realitetet e përditshme të shoqërisë sonë shqiptare, ku rinia e këtij vendi, jeton në një atmosferë të mbushur me pasiguri, mungesë ekuilibrash intelektualë e moralë, tendenca të frikshme korruptive, thuajse në çdo aspekt të jetës, afetarizëm ekstrem, tendenca përherë në rritje drejt zhveshjes nga tabani i të parëve besimtarë e qytetarë të disiplinuar, mungesë mundësishë për të bërë përpara etj.

Këtyre realiteteve, i shtohet edhe fatkeqësia e madhe e abuzimit global me imazhin real të Islamit, si fe hyjnore, ndihmuar edhe nga keqleximet e fesë, interpretimet e ngurta dhe të ngushta, mungesa e urtësisë në komunikimin masiv, ndryshimi i dy anëve të peshores së përparësive në trajtimin e çështjeve fetare, mungesa e dialogut, fanatizmi grupor me tendencë të fshehtë sektare, mungesa e largpamësisë në trajtimin e fenomeneve aktuale në peshoren e fesë islame; Kur’anit, Synetit dhe Historisë shekullore etj.

Në këto kontekste, detyra dhe roli i prijësve fetarë, imamëve, teologëve, thirrësve islamë, vaizëve, hatibëve, përkthyesve e të angazhuarve në këtë rrugëtim shekullor në shërbim të Thirrjes Islame, bëhet përherë e më i rëndësishëm, shumë serioz dhe jetik për të mirën e shoqërisë.

Në këto 27 vite të ripërtëritjes islame në vendin tonë, bashkësia e jonë fetare ka kaluar dallgë të forta, tronditje, lëkundje, goditje e humbje ekuilibri për shkaqe e rrethana, që nuk janë objekt i këtij mesazhi dhe kësaj konference.

Asnjëherë nuk duhet ta lëmë pas dore leximin me vëmendje të detajeve që lidhen me misionin tonë fisnik dhe shërbimet që kemi për detyrë t’ia ofrojmë individit, shoqërisë, kombit, ymmetit tonë!

Po të shihni me vëmendje, nga viti në vit, tendencat për ta heshtur a dobësuar zërin e arsyes së komunitetit më të madh fetar në vend, kanë ardhur duke u shtuar. Politika, media dhe mungesa e thirrësve islamë cilësorë, kanë një rol esencial në këtë drejtim.

Nga viti në vit, muslimanët etiketohen me lloj-lloj shpifjesh dhe denigrimesh, ndaj të cilave shumë pak është reaguar si duhet, kur duhet dhe në formën e duhur!

Ditëve të fundit dëgjuam edhe një krahasim të frikshëm, (që assesi nuk duhet ta pranojmë dhe ta kthejmë mbrapsht), ku u vendos në diskutim besueshmëria e krerëve fetarë të vendit!

Jo se prijësit fetarë nuk gabojnë, gabojnë edhe ata, se janë njerëz! Madje, gabimet e tyre peshojnë më rëndë sesa ata të atyre që u është tharë uji i fytyrës dhe nëpërkëmbin ditë pas dite të drejtat e njerëzve dhe hakun e pasurive, që Zoti i ka falur tokës, pa iu dridhur qerpiku!?

Nga ana tjetër, le ta pyesë veten secili prej nesh, sesa i besueshëm jam në misionin tim? Sa i aftë jam? Sa punoj dhe angazhohem për këtë mision të shenjtë? Sa e justifikoj me punën dhe sakrificën time, të jem Myfti, imam, vaiz, hatib, thirrës islam?

Nëse krerët dhe prijësit fetarë, që përçojnë ditë pas dite Fjalën e Hakut dhe mesazhet e harmonisë dhe bashkëjetesës në shërbim të interesit të madh të paqes sociale dhe harmonisë kombëtare nuk janë të besueshëm, ose më pak të besueshëm se kushdo tjetër, do të thotë se dikush po gënjen veten, Zotin, të tjerët, Zot na ruaj!

Të nderuar,

Tema të tilla, si: “terrorizmi islam”, (Realisht, mendoj se duhet falënderuar publikisht ndërhyrja elitare e presidentit turk, Rexheb Taip Erdogan në konferencën e tij me kancelaren gjermane në këtë drejtim, reagim që u reflektua në mënyrë të qytetëruar nga zonja Merkel.), “radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm islam”, “organizatat terroriste” me matricë islame etj., po bëhen përherë e më të pranishme, si një përpjekje e bezdisshme për të frikësuar njerëzinë, sidomos shoqëritë e painformuara e të paditura ndaj të vërtetave islame, për t’u distancuar prej tij dhe për ta konsideruar si një armik të përbetuar të njerëzimit!

Pikërisht në këtë moment, shërbimet tona, të imamëve dhe predikuesve në veçanti, marrin një dimension shumëfish më të madh në raport me përgjegjësinë e fjalës, sjelljes, shembullit personal, komunikimit, hapjes dhe dialogut, durimit dhe sakrificës, mostundimit dhe përpjekjes së pandërprerë për realizimin e madh të vërtetësisë shekullore në fjalët e Resulull-llahut (a.s): “Do të mbërrijë kjo fe, ku ka mbërritur nata dhe dita!”

Të gjithë ju e dini fare mirë se e vërteta qëndron krejt ndryshe nga ofendimet, shpifjet dhe propaganda islamofobike, që ka përfshirë botën, përfshi vendin tonë të vogël. Ju e dini dhe e përhapni me shumë dinjitet, ditë pas dite, faktin se Islami dhe terrorizmi janë dy gjëra të ndryshme, që nuk lidhen as përkojnë në asnjë detaj me njëri-tjetrin. Për pasojë, muslimani nuk mund të jetë terrorist, nuk mund të jetë vrastar, kriminel, i droguar, imoral, i shthurrur dhe injorant!

Këto mesazhe, ju ia përcillni ditë pas dite dhe mesazh pas mesazhi, xhematit tuaj, shoqërisë, rinisë në mënyrë specifike!

Të dashur të pranishëm,

Në shtator të vitit 2001, pata zhvilluar një intervistë të gjatë me të nderuarin, Dr. Alauddin Hamvi, thirrës islam i afirmuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në shumë vende të Europës dhe në Siri, ku jeton dhe punon akoma edhe sot. (Personalisht dhe disa të nderuar në këtë sallë, e kemi pasur fatin e mirë ta kemi pedagog të lëndës së Akides, ditëve të studimeve në Siri).

Intervistën e tij me titull: “Argëtimi i rinisë”, e pata përfshirë në librin tim me titull: “Opinione bashkëkohore islame”, Shkodër, 2002.

Dua t’i rikthehem sërish mesazheve të asaj interviste, që e gjej me vlerë dhe me dobi për thelbin e kësaj konference.

“Islami është fe e jetës, e gjallërisë, e aktivitetit dhe medoemos që argëtimi në jetën e muslimanit zë një vend të qartë. Mirëpo argëtimi në Islam është i drejtuar, dmth, se muslimani nuk argëtohet për të humbur kohën, por edhe argëtimin e vendos në një vend të duhur, duke e ruajtur kohën e tij, duke u mbrojtur nga harami, duke respektuar të drejtat e tjerëve e duke mos u sjellur atyre ndonjë të keqe.

Argëtimin e shohim në shumë forma që në kohën e Pejgamberit (a.s), që i mësonte sahabët të argëtoheshin, duke u marrë me aktivitete të ndryshme sportive, si: gara kalorësie, me not, me marrje në shënjë etj.

Ndërkohë, problemet morale nuk kanë kartë identiteti, pra nuk mund të themi problemet morale perëndimore apo lindore, poashtu edhe argëtimin s’mund ta quajmë lindor apo perëndimor.

Le t’i vështrojmë gjërat sipas qëllimeve të tyre, sipas vlerave, prandaj çdo çështje varet nga rezultati i saj. Nëse rezultati i saj është i mirë, Islami e përqafon atë dhe nuk ka asnjë problem në këtë pikë.

Islami nuk është kundër asnjë grupi apo populli, por të thotë: Ti kush je dhe çfarë bën dhe, punët tuaja a kanë vlerë apo jo? E nëse e gjen të mirën edhe tek një mexhusi (adhurues i zjarrit) e merr këtë të mirë, pasi Pejgamberi (a.s) thotë: “Urtësia është plaçkë e humbur besimtarit, ku ta gjejë atë e merr”, pa shikuar se të kush është kjo urtësi.

Por cilat janë alternativat e këtyre veprimeve nga aspekti islam?
Argëtimi islam, pikë së pari, është ngritur mbi rregullin që do thotë se personaliteti yt është i barazpeshuar, pa lëkundje. Ti s’je një kundërveprim, por ti je veprim!

Kundërveprimet, zakonisht janë negative e të pavlera. Psh, kur njeriu e vendos dorën e tij në një send të nxehtë, çfarë vepron? E tërheq dorën e tij me të shpejtë. Kjo shpejtësi mund të godasë dikë dhe mund të shkaktojë ndonjë dëm.

Islami nuk është kundërveprim, ai është veprim! Përherë mendon, kërkon!

Islami nuk i ndalon gjërat që mund të përdoren për të mirë apo për të keqe, por e ndihmon myslimanin për t’i përdoruar mirë këto gjëra.

Do t’ju jap një shembull të thjeshtë: Me këtë lapsë që kam në dorë, njeriu mund të shkruajë fjalë të pista e të ndaluara, por mund të shkruajë me të edhe fjalë të vlefshme… Islami thotë: Ne nuk e ndalojmë përdorimin e lapsës, por të mësojmë ta përdorësh për shkrime të bukura e me vlerë!

Me një gotë njeriu mund të pijë një pije dehëse, por mund të pijë me të edhe ujë Zemzemi… Atëherë ne nuk e ndalojmë përdorimin e gotës, por themi: Përdore si duhet këtë gotë!

Po ashtu edhe televizioni, internet etj., të gjitha këto mund të përdoren për të prishur moralin e sjelljen, ndërsa Islami të thotë: Mos i ndalo, por përdori si duhet!

Mendo për të krijuar faqe islame në internet, mendo të realizosh filma, drama, emisione e reklama islame në televizion, mendo të krijosh kanale televizive islame!

Këto fjalë Islami ia thotë atyre që duan të arrijnë në gradët e larta të civilizimit njerëzor, pasi është shumë e thjeshtë të ulesh në shtëpinë tënde e të thuash: Kjo është haram, kjo e ndaluar, kjo ashtu e kjo kështu!

Do mbesësh në vendin tënd e bota do të ecë përpara. Bota ecën duke mos shikuar prapa!

Feja është vërtetësi dhe realitet, që s’lidhet me kohë!
Psh. dalja e diellit… Dilte në kohën e Ademit, Muhammedit, në kohën tonë e deri në ditën e kijametit… Dielli është vërtetësi që nuk ndryshon.

Të ushqyerit me gojë është vërtetësi… Ademi ka ngrënë me anën e gojës edhe ne ushqehemi me anën e gojës… vërtetësi!
Islami është vërtetësi, që do thotë se nuk ka lidhje me ndonjë kohë të caktuar, prandaj duhet ta zbatojmë sa të mundemi.

Pra, në lidhje me alternativat islame, themi se Zoti (xh.sh) përpara se t’i ndalonte gjërat, nuk ndaloi domosdoshmëritë e jetës sonë.
Ndaloi pijet dehëse, por na lejoi të pijmë pije freskuese joalkoolike.
Ndaloi adulterinë, por na lejoi martesën.

Pra, nuk ndaloi asgjë të domosdoshme, nuk ndaloi asgjë pa i gjetur një alternativë tjetër të vlefshme!

Njerëzit sot në kohën e materializmit, për fat të keq jetojnë një jetë materialiste që e bën individin të mos mendojë vetëm se në ushqimin, pijen, martesën, gjumin dhe që e ndalon të mendojë për këtë zemër që është baza.

Prandaj Pejgamberi (a.s) na tërheq vëmendjet tona për t’i drejtuar te kjo zemër, që të argëtohet herë pas here, për të arritur në një barazpeshë.

Për fat të keq njeriu e ka keqkuptuar lirinë që i ka dhënë Zoti, prandaj e shohim shpeshherë duke vepruar djathtas e majtas me ekstremitet, duke e bërë jetën e tij të zbrazët nga argëtimi dhe pushimi, nga adhurimi dhe përshpirtja.

Mirëpo kush e shpërdoron atë natyrë që ka vendosur Zoti për jetën e njeriut, do të pendohet pas njëfarë kohe!

Muslimani është ai që përherë i barazpeshon punët e tij, sepse
moral i muslimanit është barazpeshimi i punëve, edhe pse është një gjë e vështirë, por jo e paarritshme.

Të mendojmë së bashku se si të thërrasim të tjerët në Islam nëpërmjet radios, televizionit, internetit apo kanaleve të ndryshme!

Duhet të punojmë seriozisht për të zgjedhur “sofrat” më të mira për paraqitjen e këtij Islami të pastër. Psh. radioja është “sofër”, televizioni është “sofër”, interneti poashtu… Pra, le të zgjedhim për veten tonë më të mirën dhe le t’i mbushim këto “sofra” me atë çka vlen, që do i shërbejë krejt shoqërisë.

Bota sot ka nevojë për një Islam të qartë e të shëndoshë që shihet me sy… Njerëzit nuk duan ligjërata! Ata duan të shijojnë, duan
vërtetësi, duan punë!

Pejgamberi (a.s) nuk ka urdhëruar që të mbyllemi nëpër xhamia apo vende të tjera, por na ka këshilluar që të shpërndahemi ndër njerëz e t’u paraqesim atyre vlerën e Islamit me veprat tona, që ata ta shikojnë me sytë e tyre mrekullinë e tij!”

Në përfundim të këtij mesazhi,

Lutem me zemër që All-llahu i Madhëruar të na dhurojë mbarësi dhe sukses në shërbimet tona ndaj kësaj Thirrjeje të begatë Islame, si dhe ta udhëzojë rininë tonë drejt Islamit dhe mesazheve të tij të mbushura me jetë, optimizëm, dije e urtësi, harmoni dhe vlera, që e ndërtojnë jetën mbi tokë dhe e bëjnë njeriun të jetojë me dinjitet, si krijesa më e përzgjedhur e Zotit!

All-llahu ju dashtë e ju dhashtë mbarësi!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 25 shkurt 2017

(Nga mesazhi i mbajtur në konferencën e 6-të vjetore të imamëve,
teologëve dhe thirrësve islamë të Shkodrës, me temë: “Rinia dhe edukimi fetar”)