Takim pune rreth gjallërimit të jetës fetare pas Muajit Ramazan
Ditën e martë, më 23 prill 2024, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim pune me një grup imamësh të qytetit, me të cilët diskutoi rreth gjallërimit të jetës fetare në xhamitë e Shkodrës, sidomos pas Muajit të Begatë të Ramazanit dhe në prag të sezonit veror.
U diskutua rreth lajmërimit të programit të ri të derseve javore, një traditë e kahershme e imamëve dhe xhamive të Shkodrës, me theks te dersi i ditës së xhuma, por jo vetëm.
Njëkohësisht u vu theksi edhe tek përmbajtja e hytbes së ditës së xhuma, koha e saj dhe përqendrimi tek temat që lidhen me familjen, moralin, tregtinë, hallallin dhe haramin, çështjet e rinisë dhe edukimit, etj.
Me këtë rast, Myftiu dhe imamët e nderuar, diskutuan edhe rreth programit të ri të qarkullimit të disa hatibëve në disa prej xhamive të qytetit, që nis nga e xhumaja e ardhshme, më 26/4/2024 dhe vazhdon për disa javë, program që do të vijojë me mbarësinë e Allahut edhe me xhami të tjera të qytetit dhe fshatit.
Imamët dhanë mendimet e tyre të vyera, si dhe diskutuan rreth detajeve të këtij takimi, duke e pasuruar atë me ide dhe alternativa në dobi të punës së përbashkët.