“Drita Islame” – 25 vjet kontribute të autorëve shkodranë

Do ta kisha më të lehtë të bëja një vështrim mbi rolin e gazetës/revistës “Drita Islame” në trajtimin e mendimit fetar islam dhe tematikën e larmishme me bosht teologjik, mirëpo zgjodha të ndalem në një detaj të rëndësishëm për mua personalisht, qytetin tim dhe tabanin e tij.

Data 10 janar 1992, “do të mbetet e shënuar në historinë e shtypit musliman shqiptar”.

Dalja në qarkullim e gazetës zyrtare të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, rreth një vit pas zhvillimit të ceremonisë së parë publike masive në Shkodër, më 16 nëntor 1990, pas 23 viteve persekutimi të pashoq ndaj besimit dhe besimtarëve në historinë tonë kombëtare, ishte pa dyshim një lajm për t’u shënuar.

Nga moment i parë i daljes në dritë, gazeta “Drita Islame” mblodhi rreth vetes intelektualë të spikatur muslimanë të trevave shqiptare, të cilët, brenda mundësive të tyre, kontribuuan që ajo të kishte një portret, që gjithësesi mbetet objekt studimi, edhe përtej kësaj konference shkencore me vlerë.

Vit pas viti, penat e reja nisën të bashkohen me këtë karvan të begatë të dijes, paqes, vlerave morale, humane e kombëtare, për të dhënë e për të marrë, në një marrëdhënie të mrekullueshme, që gjithësesi, konvertohet në shërbime të vyera ndaj Thirrjes Islame në trojet shqiptare dhe kudo ku ka mbërritur në këto 25 vite, gazeta “Drita Islame”, e kthyer para disa vitesh në revistë.

Kam qenë i mendimit dhe vazhdoj të besoj, se intelektualët muslimanë shqiptarë, prijësit fetarë në veçanti, (myftilerë, imamë, teologë, thirrës islamë, vaizë, hatibë, përkthyes të mirë nga arabishtja, por jo vetëm, studiues islamë etj.) e kanë për detyrë të shumëfishtë të mos e lënë pas dore shkrimin, hulumtimet, përkthimet elitare, studimet bashkëkohore, saktësimin e historisë së marrëdhënies së shqiptarëve me Islamin, evidentimin e personaliteteve të spikatura të Thirrjes Islame që u kthyen në simbole kombëtare për shqiptarët në krejt trojet e tyre etnike, por edhe regjistrimin e aktivitetit fetar e kulturor hap pas hapi, si një shërbim në heshtje, por plot dinjitet për të sotmen dhe brezat që pasojnë.

Në këto 25 vjet aktivitet, “Drita Islame”, pa dyshim që ka njohur dallgëzime në kurbën e dinamikës së saj, por, mbi të gjitha fakti që sot, çerek shekulli pas daljes së numrit të parë të saj, më 10 janar 1992, ajo vazhdon të botohet dhe të përhapë mesazhe diturore, si dhe të përcjellë tek lexuesi vlera dhe dobi, nxit falënderim ndaj Zotit dhe mirënjohje ndaj krejt të angazhuarve për sukseset dhe arritjet e misionit të saj fisnik!

Në referatin tim, dua të ndalem tek kontributet e intelektualëve muslimanë nga qyteti i Shkodrës, të cilët, numër pas numri e vit pas viti kontribuuan që “Drita Islame” të rritej në nivelin e saj, në përcjelljen e mesazheve të dobishme në shërbim të vlerave më të mira besimore, morale, intelektuale, qytetare, kombëtare e përtej tyre.

Ndoshta, nuk ishte koinçidencë e rastësishme, fakti që kryeredaktor i parë i kësaj gazete ishte i nderuari z. Ismail Muçej, një intelektual shkodran, erudit dhe poliglot, i spikatur në shtypin islam shqiptar që në moshë të re, gjurmët e të cilit lidhin si me hallka të dritshme, kohën e fillimit të “Dritës Islame” me revistën elitare “Kultura Islame”.
Në këtë kontekst, në tetor të vitit të largët 1944, vjen një sihariq nga Shkodra. Një artikullshkrues në revistën “Kultura Islame”, lajmëron, se: “Në qytetin t’onë Komiteti Bamirës Mysliman, përveç sa e sa veprave q’i ka krye mbrenda nji kohës shumë të shkurtë, ka ndërtue nji Ndërtesë, ku asht caktue nji Lokal për mbledhje dhe Konferenca fetare, kulturale, kolektive dhe të tjera dhe se këto epen në ç’do ditë Diele.

Këtu nuk asht nevoja ma të flasim për veprat filantropike, kulturore dhe shoqënore të këtij Komiteti, mbassi asht zani i popullit q’e vërteton këtë fakt evident, por me këtë rastë do të përshkruejmë tekstualisht konferencën e nji djaloshi të rij ISMAIL H. MUÇEJ, anëtarë dhe punëtorë i pa-lodhshëm i Komitetit, i cili e mbajti sod, të Dielen me 3 të Muejit vazhduës. Ishte me të vërtet nji temë e mirë-lavrueme dhe nji mjet shëruës për plagën e afetarizmit. Prej efektimit të madh që ndjeva në shpirt, u detryrova të ja dërgoj asaj Reviste, me shpresë se do të ndiçohen shtyllat e saj me te.
Prandaj lutemi Zotni Drejtor, që t’a botoni me nji-herë ose pjesë-pjesë, mbas rastit dhe rrethanave…
Shkodër 3-IX-944”

(Përtej këtyre rreshtave, mendoj se do të ishte shumë me dobi angazhimi për realizimin e një studimi monografik për jetën, veprën dhe kontributet e shumta, që ka dhënë (dhe vazhdon të japë, ndonëse në moshë të thyer), i nderuari, z. Ismail Muçej).

Në mesin e shumë e shumë autorëve dhe përkthyesve nga gjuhë të ndryshme, si: arabishtja, frëngjishtja, anglishtja etj., me kontributet e të cilëve është kompletuar edhe më shumë imazhi dhe misioni i gazetës “Drita Islame”, spikasin edhe shumë autorë të nderuar nga qyteti i Shkodrës.

Natyrshëm, nuk është në qëllimin e këtij vështrimi shfaqja e një lloj fanatizmi a krenarie lokale për kontributet e vyera të bashkëqytetarëve të mi, sesa të evidentoj një mirësi të madhe, me të cilën Zoti e ka begatuar qytetin tim të lindjes, si një shenjë që tërheq vëmendjen drejt lidhjes së madhe të muslimanëve shkodranë me dijen, kulturën, qytetërimin dhe urtësinë islame ndër shekuj.

(Nuk është rastësi, që ndër elitat e dijetarëve dhe thirrësve të afirmuar islamë ndër kohëra të ketë edhe shumë dijetarë e thirrës islamë nga qyteti i Shkodrës, një pjesë e të cilëve janë evidentuar nëpërmjet studimeve dhe botimeve të ndryshme, sidomos në këto 25 vite të rimëkëmbjes islame në Shqipëri).

Nga numri i parë i gazetës “Drita Islame”, (e kthyer më vonë në revistë, siç e dëshmojmë edhe sot), intelektualë të ndryshëm muslimanë shkodranë, medresistë dhe medresiste, shkrimtarë të afirmuar dhe pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, arsimtarë dhe dashamirë të besimit, gazetarë të vjetër por edhe hulumtus të rinj, u bënë pjesë e familjes së madhe, që mban emrin e madh: “Drita Islame”!

Në shenjë respekti, por edhe për korrektësi të hulumtimit tim, më lejoni të përmend emrat e tyre, (duke kërkuar ndjesë, nëse, gjatë hulumtimit të imët, kam tejkaluar jashtë vullnetit, ndonjërin prej kontribuuesve të nderuar):

Ismail H. Muçej, Nasuf T. Dizdari, Sami Muçej, Sheuki Rroji, shkrimtari Fadil Kraja, Gilman V. Muçaj, H. Faik Hoxha, Fiqiri Sakti, Hadi Lluja, Riza Lahi, Maxhid Cungu, Mentor Quku, Vildan Rrjolli, Ferit Hafizi, Doc. Musa Kraja, Eqerem Dërguti, deputeti Ahmet Osja, Njazi Kazazi, Idriz Kali, Dr. Xhevat Repishti, Vehbi Hoti, Nazim Bërdica, H. Vehbi S. Gavoçi, Shefik Osmani, Zyhdi Vasia, Ing. Fejzi Zaganjori, Prof. Dr. Gazmend Shpuza, Fejzi Lici, Sonila Poda (medresiste), Fejzi Gushta, Burhan Bilani, Muamer Vuci, Hamid Boriçi, Servete Dizdari, Ethem Bakalli, Ndriçime Zeka, Besnik Dizdari, Ymer Striniqi, Eljaz Rraboshta, Shpresa Bushati, Kujtim Aliaj, Eljaz Kraja, Faik Luli, Islam Dizdari, Adem Sala, Gazmend Hasaj (medresist), Nexhmi Bushati, Ramadan Sokoli, Elez Lagreta, Ilir Curri (medresist), Bujar Shehu, Adnan Muka, Hatixhe Nasufi (studente në Damask), Ylli Shmarqe, Nuh Topçia, Xhelal Zaganjori, Teuta Barketi, Çeshfije Zaganjori, Bledar Rrjolli, Isuf Bushati, Ahmet Kraja, Fadil Kraja (imam), Valdete Gjeka, Jasmina Lumani, Ahmet Puka, Adem Bala, shkrimtari Xhahid Bushati, Arben Halluni, Bujar Ferhati, Refik Piraniqi, Ilir Lugji, Afrim Smakaj (medresist), Hysejn Lluja, Vehbi Dani, Hysejn Ganjolla, Adnan Zeka, Aisa Kaduku (medresiste), Dr. Artan Haxhi, Besnik Teli (medresist), Sidita Vito (medresiste), Edvin Hidri (medresist), Hafsa Bushati (medresiste), Jetmira Teli (medresiste), Greta Tafili (medresiste), Amela Mollani (medresiste), Nerida Brahimi (medresiste), Hiqmet M. Bekteshi, Sead Lekaj, Av. Sabahet Trashani, Qemuran Murati, Ermira Omari, Indrit Idrizi (medresist), Muhamed Sytari (student në Damask), Bashkim Muslija, Gilman Shurdha, Ardian Muhaj, Adisa Bala, Taulant Aruçi, Genti Kruja, Artur Tagani, Kujtim Cufaj, Rezart Çela, Elona Sytari, Blerta Rrjolli, Smajl Bala, Lavdrim Hamja, Redi Shehu, Genti Pulti, Agron Hoxha, Dhurata Kazazi, Ardit Hoxhllaku, Evans Drishti, Aida Kurti, Fatbardh Danja, Redan Bushati, Ferzet Ndoja etj.

Të nderuar të pranishëm,

S’ka dyshim se gjurmët e autorëve shkodranë në këto 25 vite jetë të gazetës-revistë “Drita Islame”, janë të shumta, të vlefshme, përcjellin vlera edukative, qytetëruese, kulturore, mbartin në vetvete tiparet e spikatura të besimit dhe shpirtit islam, janë të veshura me membranën karakteristike të një fryme kombëtare, që përherë ka rrezatuar transparencë shpirtërore, qytetari dhe rrugëtime të hapura drejt lartësive të dijes, moralit dhe harmonisë së vlerave.

Falemnderit të gjithë atyre që kontribuuan në këto 25 vite, që “Drita Islame” të kthehet në një burim të pashterrshëm informues dhe formues, prej ku, studiuesit dhe hulumtuesit objektivë, do të kenë mundësinë edhe në të ardhmen të shkruajnë mbi historinë e muslimanëve shqiptarë të këtyre kohërave; për arritjet, sfidat, tendencat, përpjekjet dhe rezultatet!

Falemnderit!

Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër

Shkodër, më 28 shkurt 2017

(Pjesë nga referati i mbajtur në konferencën me temë:
“25 vite Drita Islame”, Tiranë, më 28 shkurt 2017)