Pranë Drandofilles së Hafizit!
Nuk e kisha menduar se dje, do të ndodhte ai takim i paparashikuar dhe ajo vizitë e paparamenduar!
Qielli gri, ca piklina të ftohta shiu, një erë e freskët kudo e pranishme, gati-gati, si një dëshmitare kurajoze e një stine në perëndim, dhe malet e mbuluara me mjegullnajën e kësaj tablloje të mrekullueshme, e denjë për tërheqjen e artistëve të pikturës, ishin detajet e para që të zinte syri, aty bri vendit të heshtur të kalimtarëve të kësaj bote, të ngrirë në imazhet e shkrepura, a të gdhendura në faqe gurësh a copëza mermeresh të ftohta-varr!
Ndërkohë, ishte emocion i âmël, si prekje mëndafshi, zijareti që i bëmë, aty në varrezën e Tufinës, Hoxhës tonë të papërsëritshëm, H.H. Sabri Koçi, rahmet pastë, bashkë me shokët e mirë, Dr. Ferid Piku, Idriz Çela, H. Lavdrim Hamja dhe H. Ervil Kuçi.
Nuk ishte aspak e vështirë ta gjeje, në mesin e asaj morie të panumërt varresh, në forma e përmasa, thuaj të paimagjinueshme, atë prekje qetësie, prehjeje e drite, në një cep, mes gjelbërimit, drandofilles besnike e pemëve të gjata, si rojtare të denja…
U afruam dhe, secili pëshpërit nga një fjalë a më shumë e, të gjithë së bashku u takuam tek llagepi: “Hafizi i mirë”!
Dikush një kujtim, e dikush një moment për të mos u harruar, i falëm njëri-tjetrit, çaste të paharruara nga njohja e lidhja me Hafizin e shpresës, personalitetin e dinjitetin e shfaqjes së tij, në kufijtë e Mallit!
Pata një përshpirtje të veçantë, teksa lexoja epitafet mbi dy pllakat e përzgjedhura me mbarësi, nga familjarët (kështu besoj se do të ketë ndodhur). Te koka: “Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim – ‘O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt i kënaqur me Atë dhe Ai i kënaqur me ty!’ – Kur’ani, Fexhr: 27-28
Haxhi Hafiz Sabri Koçi (1921-2004)
Thirrës i palodhur, ushqyer me kupën e durimit islam. Iu përkushtua shpëtimit të shpirtit shqiptar. Luftëtar besnik i çështjes kombëtare, mbrojtës i mendimit të lirë!”
Te këmbët: “Merrni dituri dhe shkencë, kudo që të mundeni, sepse ditura është ajo që të afron më shumë te Zoti” – Hafiz Sabri Koçi.
Në hatër më erdhën dy momente, si dy emra në dy skaje të largëta, që lidhin kohën dhe shpirtin e saj me realitetin tonë e, prej aty deri në pafundësi; Shejhul-Islam Mustafa Sabri (i fundit Prijës fetar i Hilafetit tonë të Lavdishëm Osman) dhe H.H. Sabri Koçi (i pari Prijës fetar i periudhës së Rimëkëmbjes)!
Nuk kishte as shkëputje, as mëvetësim, as ndarje, as tjetërsim! Ishte e njëjta frymë dhe e njëjta pamje, e njëjta BESË dhe i njëjti rrugëtim, përtej diferencave të skalitura në personalitetin e secilit dhe konteksteve të kohës!
Dje, pranë Varrit të Hafizit durimtar-triumfues, në një hark të shkurtër kohor, sikur u mblodhën kujtime e thirrje, që sëbashku detajojnë personalitetin e Hoxhës shqiptar, që priu para shumësisë së muslimanëve shkodranë, por jo vetëm, në një Ditë, prej “ditëve të Allahut!”, në një skaj të heshtur të një qyteti të lashtë e të papushtueshëm..!
Dje, me shokë të mirë, kujtuam Hafiz Sabri Koçin, në një takim, që s’ndodh çdo ditë, me të njëjtin mall e të njëjtën dashni, me të cilën e njohëm dhe u takuam, sa e sa herë, si nxënës besnikë para një Mësuesi të paharruar, që Zoti i gjithësisë e vendosi në pozitën e Dëshmitarit ndërlidhës, Thirrësit të zgjimit e Lajmëtarit të rimëkëmbjes, përtej prekjeve e duarve, që shpesh përzihen në tryezat e këtyre realiteteve, për të fshirë e tjetërsuar atë që është Shpirt i pandryshueshëm!
Rahmet pastë, i miri Hafiz Sabri Koçi, që akoma sot, na frymëzon për të mos humbur busullën e udhëzimit!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, më 18 prill 2024