Mbyllet cikli i ligjëratave në prag të Ramazanit 1439

Pasditën e së dielës, më 13 maj 2018, në oborrin e xhamisë së Medresesë u zhvillua aktiviteti përmbyllës i ciklit të ligjëratave dhe këshillave fetare në prag të Muajit Ramazan 1439, që Myftinia Shkodër në disa prej xhamive të qytetit.

Në këtë pasdite të begatë ligjëruan imamët e nderuar Lavdrim Hamja, Idmir Plaku dhe Gilman Kazazi.

Në ligjëratat e tyre imamët e nderuar hodhën dritë mbi mundësitë që afron Muaji Ramazan për t'u afruar me Zotin e botëve, për të rregulluar ekuilibrat e jetës, për të rritur bashkëpunimin në familje e shoqëri, etj.

Njëkohësisht u theksua se Muaji Ramazan është mundësi e madhe për të perfeksionuar lutjen, sidomos në ato kohë, kur ajo pranohet nga All-llahu i Madhëruar.

Në përfundim të këtij cikli të begatë ligjëratash, që u zhvilluan në xhamitë: "Ebu Bekër", Dudas, xhamia e "Dy Vajzave", Rus, Perash, Parrucë dhe xhamia e Medresesë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari falënderoi imamët ligjërues, pjesëmarrësit dhe krejt ata që u angazhuan për mbarëvajtjen e këtij karvani vlerash. Njëkohësisht uroi agjërim të lehtë dhe të pranuar.