Pasditën e së shtunës, më 12 maj 2018, në sheshin e xhamisë së Parrucës, Myftinia Shkodër organizoi aktivitetin tadicional: “Sofra e Kur’anit”, me hafizë të ardhur nga Turqia dhe Maqedonia.
Të nderuarit H. Adnan Kadria (MK), H. Avni Hasani (MK), H. Sejid Temur (TR) dhe H. Idriz Arasoglu (TR), prezantuan para të pranishëmve pjesë të ndryshme nga Kur’ani, duke ndezur zemrat me emocione që përjetohen në tubimet e begata ku lexohet Fjala e Zotit të gjithësisë.
Aktivitetin e përshëndeti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili tha se ky tubim i ngjan dallëndysheve të pranverës që lajmërojnë stinën e shumëpritur të freskisë, gjallërimit të jetës dhe rrezeve plot begati të diellit.
Myftiu falënderoi hafizët e nderuar, që për të dhjetin vit radhazi organizojnë këtë karvan të begatë në trojet e Ballkanit, duke përhapur rreze drite kur’anore dhe duke mbushir zemrat me bekim e paqe.
Për rreth një orë, të pranishmit patën mundësi të ndjekin këndimet e bukura, që u mbyllën me këndimin e ezanit drejtpërsëdrejti nga sheshi i xhamisë së Parrucës.