Promovohet libri: “Dialog me mikun tim ateist”, i autorit Dr. Mustafa Mahmud

Pasditen e së xhumasë, më 6 mars 2020, në ambientet e Grand Hotel Europa, Myftinia Shkodër organizoi promovimin e librit “Dialog me mikun tim ateist”.

Aktivitetin e hapi teologu Ervil Kuçi, i cili pasi i uroi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre bëri një prezantim të shkurtër të librit “Dialog me mikun tim ateist”, i autorit Dr. Mustafa Mahmud, sjellë në gjuhën shqipe nga teologu Lavdrim Hamja.

Më pas e mori fjalën Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili pasi falënderoi përkthyesin për sjelljen e këtij libri me vlerë në gjuhën shqipe, tha: “Libri i ri që promovojmë sot, “Dialog me mikun tim ateist”, shkruar nga studiuesi dhe intelektuali i shquar egjiptian, Dr. Mustafa Mahmud, sjellë në shqip nga thirrësi islam Lavdrim Hamja, është padyshim një vlerë e shtuar për librotekat tona.”

Imam Sytari, ndër të tjera tha: “Është një libër që lexohet me kujdes, por që vlen për secilin prej nesh, sidomos në kohëra si këto, kur thuajse nga çdo drejtim dëgjojmë sulme të pandërprera ndaj Islamit dhe muslimanëve.

Aq sa janë paradoksale ato që lexojmë e dëgjojmë, aq është i domosdoshëm për t’u qarkulluar në mesin e lexuesve ky libër, që gjithësesi nuk është as fillimi, as fundi i trajtesave të të pjekura e plot urtësi të tematikave të këtij niveli, që shpesh kanë ngacmuar botën, lidhur me Islamin.”

Më pas, teologu Artur Tagani, kandidat për Doktor Shkencash në fushën e Sociologjisë dhe Filozofisë, trajtoi me shumë kompetencë temën “Ateizmi si pasojë”, duke sjellë shembuj dhe argumente bindëse rreth përhapjes së ateizmit në botë, por edhe në vendin tonë.

Ndërsa teologu Arben Halluni foli rreth librit, duke u ndalur te rëndësia e të kuptuarit drejtë të koncepteve islame, veçanërisht të kadasë dhe kaderit, dy terma shumë të rëndësishme të fesë islame, që kanë të bëjnë me përcaktimit e Zotit.

Në fund e mori fjalën edhe përkthyesi i librit, teologu Lavdrim Hamja, i cili foli për jetën e autorit të librit, Dr. Mustafa Mahmud dhe solli disa thënie të tij, ku ndër të tjera përmendi: “Asnjëherë nuk kam qenë njeri i fesë (klerik), por artist që kam hyrë në prehrin e fesë prej derës së mirësisë hyjnore dhe prej derës së dashurisë e bindjes dhe jo nga dera e Ez’herit.

Gjykimi im ka qenë gjykimi i poetit, i cili e deshi Allahun dhe shkroi për Të vargje dhe ndërtoi një xhami. Por, ai gjithmonë mbeti artisti që në origjinë dhe krijim. Ky artist, pasuria e të cilit është imagjinata dhe ndjenjat.

Arti ka qenë gjithmonë dobësia dhe fuqia ime. Si çdo artist, edhe për mua bukuria ka qenë frymëzim.

Kam qenë njeri gabimtar dhe për këtë arsye asnjëherë nuk kam pretenduar të jem i pagabueshëm.”

Aktiviteti u përshëndet edhe nga imami i xhamisë së Rusit, H. Fejzi Zaganjori, i cili theksoi se ky aktivitet në kuadër të 30 vjetorit të lirisë së besimit, merr një vlerë edhe më të madhe, kur sheh se teologët dhe thirrësit islamë shkodranë të kësaj kohe, po punojnë me përkushtim në rrugën e përhapjes së dritës së besimit.

Në përfundim të këtij promovimi, për të pranishmit u bë edhe shpërndarja e librit: “Dialog me mikun tim ateist”.