Dialogu, prijësi fetar dhe individi në Islam

(Dy fjalë në promovimin e librit: “Dialog me mikun tim ateist”, nga Dr. Mustafa Mahmud, sjellë në shqip nga thirrësi islam Lavdrim Hamja)

Libri i ri që promovojmë sot, “Dialog me mikun tim ateist”, shkruar nga studiuesi dhe intelektuali i shquar egjiptian, Dr. Mustafa Mahmud, sjellë në shqip nga thirrësi islam Lavdrim Hamja, është padyshim një vlerë e shtuar për librotekat tona.

Është një libër që lexohet me kujdes, por që vlen për secilin prej nesh, sidomos në kohëra si këto, kur thuajse nga çdo drejtim dëgjojmë sulme të pandërprera ndaj Islamit dhe muslimanëve.

Aq sa janë paradoksale ato që lexojmë e dëgjojmë, aq është i domosdoshëm për t’u qarkulluar në mesin e lexuesve ky libër, që gjithësesi nuk është as fillimi, as fundi i trajtesave të të pjekura e plot urtësi të tematikave të këtij niveli, që shpesh kanë ngacmuar botën, lidhur me Islamin.

“Nuk është i lindur dhe nuk ka lindur kush prej Tij”, “Nëse All-llahu m’i ka përcaktuar veprat e mia, atëherë përse më merr në llogari?”, “Përse All-llahu e ka krijuar të keqen?”, “Cili është gjynahu i atij që nuk i ka mbërritur Kur’ani?”, “Gruaja në Islam”, “A është feja opium?”, “Shpirti”, “Ndërgjegjja”, “A janë ritet e Haxhit idhujtari?”, “Përse të mos jetë Kur’ani i shkruar nga Muhammedi?!”, “Qëndrimi i fesë ndaj evolucionit”, “Kuptimi i fesë”, etj., janë disa prej tematikave që trajton ky botim i ri, i shumëpritur në mesin tonë.

Secila prej këtyre tematikave, që autori i ka dhënë hakun, kërkon një trajtim më vete në kontekstet e një dialogu të mrekullueshëm me një mik ateist. Në pamje të parë duket si e habitshme që ai ta quajë personin përballë vetes, mik. Në të vërtetë, Dr. Mustafa Mahmud vjen vetë nga bota e ateizmit, por ajo që vlen më së shumti është se në Islam, tjetri nuk paragjykohet, kushdo qoftë e sado i devijuar a i paudhëzuar që të jetë!

Ka rëndësi të madhe të kuptohet se në Islam, “Në fillim ishte dialogu! Melekët e madhëronin dhe e shenjtëronin All-llahun në përkushtim e sinqeritet. Pastaj, don All-llahu dhe krijohet njeriu, për të qenë “mëkëmbësi i Tij në tokë”. Dhe fillon dialogu nëpërmjet pyetjeve për natyrën e tij, për rolin e tij, për anët negative dhe ato pozitive të tij.

All-llahu i përgjigjet për krejt pyetjet e tyre, siç e përshkruan Kur’ani në mënyrë të përmbledhur këtë ndodhi. Dialogu mbyllet tek caku i pozitës së tyre në kufirin e njohurisë që ata zotërojnë: “Me të vërtetë, Unë di atë që ju nuk e dini”![1]

Pastaj erdhën pejgamberët për t’i mësuar njeriut natyrën e fjalës, që merr dhe jep, për të mësuar se si të trajtojë me të problemet e tij, se si të zgjidhë divergjencat e tij nëpërmjet saj, sepse ajo përfaqëson dritaren, nëpërmjet së cilës njeriu vëzhgon atë që ka në brendësinë e tjetrit…

Dialogu ishte metoda e pejgamberëve dhe misioni i tyre hyjnor për njeriun. Ata dëshiruan që njeriu të hyjë në shkollën e dialogut, në klasat e para të saj, për këtë nxitën para tij çështje që sfidojnë injorancën e tij dhe horizontet e ngushta, për të nxitur në të natyrën e përballjes, për të pyetur, a për të refuzuar, për të sharë, a për t’u rebeluar, për të gjuajtur me gurë, a për të kërcënuar me vdekje… Çështja ishte që ai të lëvizte brenda vetes së tij, për të dalë nga ngurtësia e heshtjes së kalcifikuar në brendësinë e tij… Ideja ishte të mësonte se si të vëzhgonte drejt Dritës që vinte nga All-llahu.”.[2]

Libri që kemi në dorë është i mbushur me kësi momentesh, kur miku ateist gjuan me ironi, padituri e paragjykim, por, autori, një studiues i thelluar dhe një mendimtar jo i zakonshëm, me qetësi e durim, me argumente e dialog, e tërheq mikun e tij nga skëterra e heshtjes së kalcifikuar, nga thellësia e padijes, drejt lartësive të dijes dhe vëzhgimit në fytyrë të Dritës hyjnore, që vezullon si dielli për këdo që i është treguar rruga drejt saj, me urtësi e pjekuri.

Kjo më sjell ndër mend një rrëfim të dijetarit të madh të botës tonë islame, Hoxhës tonë Shejkh Ahmed Keftaro, të cilin e kam dëgjuar nga afër të tregojë këtë dialog tijin me Papa Gjon Palin e dytë, para shumë vitesh në Vatikan.

Thotë: “Në vitin 1990 më ftoi Papa që të mbaj një referat para konferencës së kardinalëve. Tema e referatit tim ishte: “E ardhmja e dy feve, Islamit dhe Krishtërimit, në kohët moderne”. Pas kësaj u zhvillua edhe takimi ynë privat. Ndër të tjera e pyeta Papën: A e din, zotëria e jote, se kush është shkaktar i ateizmit dhe komunizmit në botë? Tha: Kush? I thashë: Ti! (E pashë se u trazua dhe kishte të drejtë) Ma ktheu: Unë? I thashë: Po, ti! Edhe unë bashkë me ty! Ne njerëzit e fesë jemi shkaktarë të ateizmit dhe komunizmit në botë! Kur ne e paraqesim fenë në një formë të shëmtuar dhe ia pengojmë njeriut pamjen e bukur të saj, pastaj i themi të bardhës e zezë dhe të zezës e bardhë, a do të besojnë në fjalët tona? E pamundur!

Pastaj, në fund të takimit, teksa po ndaheshim dhe po përqafoheshim, Papa më tha: Unë e lexoj Kur’anin çdo ditë!”.[3]

Para shumë vitesh, Hoxha rahmet pastë, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi, më dhuroi me dedikim një libër të historianit dhe mendimtarit të shquar sirian, Dr. Sheuki Ebu Khalil. Libri titullohet: “Dialogu, përherë – Dialog me një orientalist”.

Në parathënien e tij të kësaj kryevepre, Dr. Ebu Khalil, ndër të tjera shkruan: “Që nga muaji i tretë i vitit 1992, kam menduar të ulem e të shkruaj një libër që në mes të dy kopertinave të tij të përmbajë këtë temë: (Dialogu, në fillim … Dialogu, përherë).

Dialogu në fillim, në mesin e shoqërisë së vetme islame. Dialogu në fillim, në mesin e shoqërive të ndryshme islame, përtej burimeve dhe bindjeve. Dialogu në fillim, në mesin e medhhebeve islame, synite e shiite.

Dialogu në fillim, në mesin e islamikëve dhe laikëve. Dialogu në fillim, në mesin e muslimanëve dhe pasuesve të Librit. Dialogu përherë, për të ruajtur kontaktet, për ruajtur miqësinë, për të rrugëtuar bindshëm drejt së vërtetës, larg fanatizmit, bazuar mbi rregullin: Argumento, pastaj beso! Jo të besosh, pastaj të shtrembërosh tekstet drejt asaj që përputhet me besimin tënd! Dialogu në fillim… në zbatim të urdhërit të All-llahut të Madhëruar: “Nuk ka dhunë në fé, është sqaruar e vërteta nga e kota”[4], apo ajetit kur’anor: “I dërguari ka obligim vetëm komunikimin e qartë”.[5]

Dialogu përherë, për të realizuar unitetin e rreshtave, përndryshe tufani po vjen dhe do të na marrë para të gjithëve!”.[6]

Në mbyllje,

Meqë ditëve të fundit, bota mbarë po sensibilizohet me emigrantët sirianë, që vijnë nga djepi i dhunuar barbarisht i qytetërimeve dhe civilizimeve botërore, emigrantë që po vriten e po dhunohen dyerve të kufijve të Evropës, po citoj një pasazh nga libri që kemi para duarve, ku autori thotë: “Ata, të cilët e akuzojnë Islamin me prapambetje politike, u themi, se Islami ka ardhur me më shumë dispozita përparimtare në sistemin e qeverisjes.

Respektimi i individit në Islam ka arritur kulmin dhe i ka paraprirë kartës së të drejtave të njeriut dhe është superior ndaj saj. Çfarë vlen një individ i vetëm në Islam? Ai vlen sa tërë njerëzimi mbarë! Në Kur’an urdhërohet: “Kush vret një njeri të pafajshëm apo bën shkatërrime në tokë, është sikur të ketë vrarë mbarë njerëzit dhe kush e shpëton atë, është sikur t’i ketë shpëtuar të gjithë njerëzit!”.[7]

Nuk kanë asnjë vlerë arritjet, as reformat materiale, as ndërtimi, as digat dhe as fabrikat, nëse udhëheqësi vret një njeri të vetëm padrejtësisht në rrugën e këtij reformimi, sepse konsiderohet sikur të ketë vrarë mbarë njerëzimin.

Ky është kulmi i respektimit të individit, që nuk e ka arritur asnjë rrymë politike, e vjetër apo e re. Individi në Islam ka vlerë absolute, ndërkohë në të gjitha rrymat politike, ai ka vlerë relative. Individi në Islam është i sigurt në shtëpinë e tij dhe në sekretet e tij: “nuk ka përgjime e as përgojime”; i sigurt në pasurinë, rizkun, pronat dhe liritë e tij.”.[8]

Faleminderit, i nderuar thirrësi islam, Hoxhë Lavdrim Hamja, për këtë punë të palodhur, për këtë kontribut me vlerë, për këtë ngacmim të dobishëm për secilin prej nesh!

Imam Muhamed B. Sytari

Shkodër, më 6 mars 2020


[1] Kur’ani, El-Bekare: 30.

[2] Ajetull-llahil-udhma Es-Sejjid Muhammed Husejn Fadlull-llah, El-Hivar fil-Kur’an, botimi i pestë, Darul-Melak, Bejrut, 1996, f. 5-6.

[3] Për më shumë, mund të ndiqet regjistrimi audioviziv nr. 22 i tefsirit të sures Abese nga Kryemyftiu i Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro.

[4] Kur’ani, El-Bekare: 256.

[5] Kur’ani, En-Nur: 54.

[6] Dr. Sheuki Ebu Khalil, El-Hivaru daimen – hivar mea musteshrik, botimi i tretë, Darul-Fikr, Damask, 1994, f. 5-6.

[7] Kur’ani, El-Maide: 32.

[8] Dr. Mustafa Mahmud, Dialog me mikun tim ateist, përktheu në shqip: Lavdrim Hamja, Shkodër, dhjetor 2019, f. 59.