Myftinia Shkodër dhe Kisha Ortodokse krah për krah në mbrojtje të së drejtës së pronës

Myftinia Shkodër dhe Kisha Ortodokse krah për krah në mbrojtje të së drejtës së pronës

Myftinia Shkodër dhe Kisha Ortodokse krah për krah në mbrojtje të së drejtës së pronës

Ditën e hënë, më 13 tetor 2025, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, zhvilloi një takim në Kishën Ortodokse Shkodër, ku u prit nga At Aleksandër Petani dhe At Nikolla Petani dhe bashkërisht, ku diskutuan rreth çështjeve me interes të përbashkët, duke u përqendruar tek problematika e zaptimit ilegjitim të pronës së dy komuniteteve në zemër të Shkodrës.

Gjatë një konference për shtyp, Myftiu Sytari dhe At Aleksandër Petani theksuan domosdoshmërinë e respektimit të pronës legjitime dhe kthimit të saj tek i zoti, ku ndër të tjera At Aleksandër Petani theksoi se: “Në ligjet në atyre ku duam të hyjmë ne, në Bashkimin Evropian tre ligjet e para janë të: Liria, feja dhe prona. Këto dy të fundit po shkelen me këmbë dhe po grabiten..!”

Ndërkohë, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari ritheksoi se, përpjekjet e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë dhe Myftinisë Shkodër së bashku me Kishën Ortodokse dhe familjen Laçej në drejtim të kthimit të pronës legjitime tek xhamia e Fushë Çelës dhe Hotel Turizmi janë të kahershme, gjyqe të shumta janë zhvilluar, shkresa të shumta janë dërguar, takime të shpeshta janë zhvilluar dhe për fat të keq sot ndodhemi në këtë realitet që e dëshmojmë të gjithë.

Myftiu theksoi, se: “Meqenëse ne jemi në 35 vjetorin e rihapjes së kishave dhe xhamive, është shembulli më i keq se si shteti në vend që të respektojë komunitetet fetare dhe të mbyllë një herë e përgjithmonë problemin e madh të pronave, lejon që të rigrabitet prona e komuniteteve fetare..!”

Pyetjes së gazetarit, se a do të ketë protesta nga komuniteti musliman në lidhje me këtë çështje, myftiu iu përgjigj, se: “E pyetën muajin Ramazan se, pse nuk vjen në muajin Shaban, tha: Çdo gjë në kohën e vet është e bukur dhe e duhur!”

Njëkohësisht, Myftiu tha se: “Komuniteti musliman është komuniteti më i madh fetar në vend, dhe vetëm shpërndarja gjeografike e xhamive tona dhe e komunitetit tonë, na fton që edhe kur të flasim të jemi shumë të përgjegjshëm për atë që themi, por edhe ata që mendojnë të shkelin të drejtat edhe hakun tonë, duhet të mendohen shumë e shumë, përpara se ta bëjnë një gjë të tillë!”