Sot, 30 vjet xhamia e madhe në Fushë Çelë

Sot, 30 vjet xhamia e madhe në Fushë Çelë

Sot, 30 vjet xhamia e madhe në Fushë Çelë

Më 25 tetor 1995 përfundoi së ndërtuari xhamia e Fushë Çelës, e cila mori emrin “Ebu Bekër” sipas dëshirës së donatorit, familjes së nderuar saudite El-Zamil dhe mirëkuptimit të Myftinisë Shkodër.

Lajmi i madh i hapjes së xhamisë “Ebu Bekër” në mes të Shkodrës në vitin 1995 ishte padyshim ngjarja më e rëndësishme e asaj kohe, edhe për faktin se në qendër të veriut të Shqipërisë u ngrit xhamia më e madhe e kohës, e cila do t’i shërbente besimtarëve muslimanë si një vatër më shumë e edukimit me vlerat dhe dritën e udhëzimit islam.

Vlen të theksohet se xhamia “Ebu Bekër” u ndërtua mbi vakëfin e besimtarit dhe bamirësit të shquar shkodran, Çel Zylyftari, lënë vakëf që në vitin 1905.

Më herët në këtë vakëf, ndër vite janë ndërtuar dhe rikonstruktuar edhe disa xhami të tjera, por në përmasa më të vogla se xhamia aktuale, që mban emrin e sahabiut më të shquar dhe besnikut të Hz. Muhammedit (a.s), Hz. Ebu Bekrit (r.a).

Në këto 30 vite në xhaminë “Ebu Bekër” kanë shërbyer imamllarë, vaizë, muezinë, hatibë dhe myderrizë të ndryshëm, të cilët brenda mundësive të tyre dhe sipas nijeteve të zemrës janë përpjekur për të dhënë më të mirën në shërbim të besimtarëve dhe qytetarëve shkodranë.

Në këtë 30 vjetor të përkujtimit të përurimit të xhamisë së madhe të Shkodrës, Myftinia Shkodër ngre alarmin e madh të grabitjes flagrante të vakëfeve, një traumë dhe një gangrenë vrastare, e cila vazhdon të shënojë gjurmët e saj shkatërrimtare në shoqërinë shqiptare, ndonëse kanë kaluar 35 vite nga rënia e perdes së hekurt të komunizmit.

Grabitja flagrante e vakëfit të Fushë Çelës, që tejkalon pragun e rrethimit aktual të kësaj xhamie, është një betejë e pambyllur për Myftininë e Shkodrës dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë.

Përpjekjet për të çuar në vend amanetin e të parëve dhe për të mbrojtur të pacënuar vakëfin e shenjtë të muslimanëve vazhdojnë në të gjitha format dhe mënyrat legjitime në bashkëpunim edhe me miq dhe vëllezër anembanë botës.

Myftinia Shkodër uron besimtarët muslimanë të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë me rastin e përkujtimit të kësaj dite të madhe dhe të shënuar për bashkësinë islame shqiptare.