Me ftesë zyrtare të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, mori pjesë të dielën, më 6 shkurt 2022, në ceremoninë e promovimit të Reisit të ri të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat ef. Fejziq, e njohur si ceremonia e Menshurës, që u mbajt në xhaminë “Osmangazi” në Podgoricë.
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të bashkësive islame dhe xhamive nga vende të ndryshme të Ballkanit, si nga: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia, Sanxhaku, etj.
Me këtë rast, Myftiu i Shkodrës iu drejtua të pranishëmve me një mesazh urimi, duke u lutur që fryma e vëllazërisë dhe bashkëpunimit në mesin e muslimanëve në trojet tona të rritet dhe të dëshmohet, si një gjurmë qytetëruese në shërbim të vlerave të besimit, sigurisë dhe paqes sociale.
Ai uroi Reisin Fejziq për mbarësi dhe suksese në drejtimin e Bashkësisë Islame të Malit të Zi.
I nderuari Rifat ef. Fejziq e drejton institucionin e Bashkësisë Islame të Malit të Zi që nga viti 2003.