Paraditën e të shtunës, më 5 shkurt 2022, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari gjatë një interviste dhënë për RTSh Shkodra foli për rastet e diskriminimit të besimtareve muslimane, që kohët e fundit janë refuzuar në punë e shkollë për shkak të shamisë islame, që mbajnë në kokë.
Pyetjes së gazetarit, për rastin e një vajze nga Shkodra, e cila është refuzuar nga një subjekt në Shkodër, Myftiu Sytari, ndër të tjera iu përgjigj, se: “Raste të tilla janë një paradoks i madh, jo thjesht për kohën, në të cilën ndodhemi, por për vetë zhvillimin e dijes, kulturës, trashëgimisë, tabanit dhe vlerave në përgjithësi.
Në vitin 2022, të mendoj dhe të shoh, se vajza ime me hixhab paragjykohet nga dikush në qytetin tim, apo në Shqipëri kudo qoftë, duket si diçka e palogjikshme dhe e papranueshme, sepse hixhabi dhe mbulesa tek ne, është taban kombëtar. Sepse, nënat tona, gjyshet dhe katragjyshet tona, për shekuj, muslimane dhe të krishtera, e kanë mbajtur hixhabin”.
Myftiu tha, se një nga simbolikat më të bukura të prezantimit të shqiptarëve, gjithandej nëpër botë është hixhabi: “A nuk prezantohen sot shqiptarët me simbolikën e Shën Terezës, e cila është një zonjë e mbuluar me hixhabin dhe mbulesën e Marisë Virgjëreshë, ose Merjemit, alejha selam?!”
Gjithashtu, Imam Sytari bëri thirrje për shërimin e këtij fenomeni, që për fat të keq po vazhdon e rritet ditë pas dite dhe njëkohësisht ftoi parlamentin shqiptar, që mbase është i vonuar, për të miratuar një projektligj për mbrojtjen e komuniteteve fetare, shenjtërive të besimit dhe dënimit me ligj të diskriminimit për shkaqe fetare, duke ndaluar çdokënd që prek shenjtëritë e tjetrit!
Linku i plotë: