Myftiu: “Mos lejoni t’ju dirigjojnë në besim, bindje e fjalë!”

Myftiu: “Mos lejoni t’ju dirigjojnë në besim, bindje e fjalë!”

Në ligjëratën e ditës së xhuma, më 13 tetor 2023, Myftiu i Shkodrës, foli mbi modelin e mëshirës së Resulullahut (a.s) ndaj fëmijëve.

“Në këtë ditë të xhuma, njëkohë që në mbarë botën islame ka një dhimbje të madhe dhe një solidarizim të jashtëzakonshëm dhe të pa dëshmuar më parë me banorët e Palestinës martire e në veçanti me banorët e zonës së Gazës, të cilët janë të izoluar dhe të ndarë nga pjesa tjetër e botës dhe që përballen prej dekadash e vitesh, si dhe këto ditët e fundit, me bombardime çnjerëzore, me shkatërrim të pronës dhe me marrje të jetës; në këtë ditë, kur dëgjojmë dhe po shohim për vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm, e në veçanti të qindra e qindra fëmijëve të pafajshëm, patjetër që duhet të kthehemi me vëmendjen tonë nga mëshira e Pejgamberit (a.s) për fëmijët!”, – nisi dersin e tij javor, Myftiu.

Me argumente, Imam Sytari tregoi për shembullin dhe largpamësinë e të Dërguarit të Allahut në marrëdhënie me të vegjlit, sikurse bëri thirrje që prindërit e sotëm, të kenë kujdes me edukimin e fëmijëve dhe mos t’ia lënë atë në dorë aparateve celulare, televizioneve dhe shejtanëve që përpiqen së bashku të deformojnë tabanin e edukimit të fëmijëve!

“Jo me ia falë fëmijët propagandave boshe të atyre që çirren poshtë e përpjetë dhe na bëjnë edhe moralin e fesë nganjëherë! Të shkojmë pas thirrjeve të Pejgamberit tonë dhe të respektojmë rregullat e fesë tonë, pa asnjë lloj tolerance ndaj askujt! Le të bërtasë kush të bërtasë e le të hidhet, kushdo që don të dirigjojë edhe mënyrën e të folurit tonë!

Ne nuk kemi nevojë të na dirigjojë njeri të folurën dhe predikimet tona, absolutisht! Gjithsecili të shohë rrugën e tij! Jo me futë hundët në punët e tjerëve, sidomos në punët e fesë! Predikimet e kujtdo që fut hundët në punët e fesë dhe në mënyrën e predikimeve tona, ia kthejmë mbrapsht, kushdo qoftë!”, – vazhdoi Myftiu.

Ligjërata e plotë, në linkun e mëposhtëm: