Myftiu i Shkodrës uron Mevludin Sherifë dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2024-2025
Ditën e xhuma, më 6 shtator 2024, nga minberi i xhamisë së Medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari iu drejtua besimtarëve me një mesazh nëpërmjet të cilit uroi fillimisht, të pranishmit dhe mbarë komunitetin musliman të Shkodrës, por jo vetëm, me rastin e fillimit të muajit Rebiul-Evel, në të cilin mbarë bota islame përkujton Lindjen e Begatë të Hz. Muhammedit (a.s).
Poashtu, Myftiu dha një mesazh për mësuesit dhe nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024 – 2025. Ndër të tjera Myftiu theksoi se: “Këtë vit përkujtimi i Lindjes së Begatë të Hz. Pejgamberit (a.s) përkon me fillimin e një viti të ri shkollor për fëmijët tanë.
Përkujtimi i Mësuesit më të madh me fillimin e një viti të ri shkollor, për të cilin i lutemi Allahut të Madhëruar t’i japë mbarësi dhe bekim fëmijëve tanë, e mbi të gjitha, mbarësi mësuesve të fëmijëve tanë, që i kemi për mbi krye dhe duhet t’i respektojmë, t’i nderojmë dhe t’i vlerësojmë për pozitën e mësuesit, tamam ashtu siç thoshin të parët: ‘Ngrihu në këmbë dhe madhëroje mësuesin, sepse pozita e mësuesit u afrua me gradën e Pejgamberit’..!”
Myftiu iu drejtua mësuesve dhe nxënësve me një mesazh për ruajtjen e dinjitetit dhe vlerave të larta, që ka mësuesi në Islam, ku ndër të tjera theksoi, se i Dërguari i Allahut, Hz. Muhammedi (a.s) ka thënë për veten e tij: “Me të vërtetë jam dërguar Mësues!”, duke theksuar, se pozita e mësuesit në fenë islame është pozita e mëkëmbësit të Dërguarit të Allahut (a.s).
Gjithashtu, ai kërkoi nga nxënësit, që të jenë respektues, nderues dhe përfitues nga mësuesit e tyre duke bashkëvepruar për ndërtimin e vlerave, ruajtjen e tabanit dhe lartësimin në rrugët e diturisë.
Myftiu tha, se: “Sot jemi përballë një sfide, që është jo e lehtë për prindërit edhe për krejt mësuesit dhe nxënësit në veçanti.
Sot ka një dyndje të madhe të rrjeteve sociale, që me apo pa dashje, na hyjnë në shkollat tona, në shtëpitë tona, në xhamitë tona, kudo që jemi!
Kur lexojmë për shkollat e ndryshme të vendit, por jo vetëm, ku gëlon shitja e hashashit dhe konsumimi i tij, konsumimi i alkoolit, i duhanit, ikja e fëmijëve për të konsumuar një kafe nëpër kafenetë e shumta, të përhapura si kërpudhat pas shiut, e që mbizotërojnë gjithandej; kur shohim e dëgjojmë, se nxënësit nuk kanë më respekt për librin, që e hedhin tutje librin, kur nuk ka më respekt për mësuesin, por jo vetëm, ndjejmë dhembje, që na nxit të mos demoralizohemi!
Kjo është një sfidë e madhe, për të cilën duhet të bashkëpunojmë të gjithë së bashku; prindi, fëmija, mësuesi, drejtori i shkollës, imami, myftiu; të gjithë ne jemi të përfshirë në këtë vorbull dhe e kemi për detyrë, që përballë vështirësive të punojmë për të ngritur urat e zhvillimit, përparimit, për të ruajtur vlerat tona dhe vlerat e tabanit!
Në momentin kur e humbim fillin dhe e presim në besë Zotin dhe Pejgamberin (a.s), i kthejmë shpinën Librit të shenjtë dhe hutohemi pas propagandave boshe, që na duan njerëz dekadentë në këtë botë, atëherë priteni kiametin!
Të dashur dhe të shtrenjtë, në këtë stinë të Mevludit Sherifë, e në prag të fillimit të vitit shkollor, ju uroj me zemër dhe i lutem Allahut të Madhëruar, me ju dhënë mbarësi, bekime dhe me ruajtë fëmijët tanë nga devijimi dhe shthurja, dhe të bëjë gjithsecilin prej tyre rrugëtues drejt një udhe, në të cilën ka ecur Pejgamberi (a.s) dhe e ka lënë amanet që të mos mbyllet asnjëherë; dhe asnjëherë nuk do të mbyllet deri në ditën e fundit!
Allahu ju dashtë dhe ju begatoftë, e i marrtë për dore fëmijët tanë dhe rininë tonë, drejt më të mirës me mëshirën dhe begatitë e Tij!”
Mesazhi i Myftiut Sytari, u përcoll edhe nga mediat e pranishme në hytben e xhumasë.
Kliko këtu për të ndjeku hytben të plotë: