Promovohet libri: “Me Pejgamberin (a.s)” i autorit Ed’hem Sherkavi, përkthyer në shqip nga teologu Lavdrim Hamja
Ditën e xhuma pasdite, më 6 shtator 2024, në oborrin e xhamisë “Ebu Bekër”, Fushë Çelë, Myftinia Shkodër zhvilloi promovimin e librit: “Me Pejgamberin (a.s), të autorit Ed’hem Sherkavi, përkthyer nga arabishtja në shqip nga teologu Lavdrim Hamja.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, drejtori i Medresesë “H. Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, drejtues të shoqatave të ndryshme, imamë, teologë, intelektualë dhe besimtarë e besimtare të shumtë.
Pas hapjes së aktivitetit nga teologu Arben Halluni, i cili pasi i uroi mirëseardhjen të pranishmëve tha, se ky promovim fillon edhe ciklin e aktiviteteve, që Myftinia Shkodër do të organizojë me rastin e hyrjes së muajit të begatë, reviulevel, të Lindjes së Pejgamberit (a.s).
Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ndër të tjera tha: “Përpara duarve kemi një libër të madh! Them, se është libër i madh, sepse bën fjalë për Pejgamberin (a.s) dhe titullohet: “Me Pejgamberin (a.s)”. Megjithatë, ky nuk është një libër biografik, por një qasje bashkëkohore e autorit nga Palestina, Ed’hem Sherkavi, i cili është autori i disa shkrimeve, eseve dhe librave nëpërmjet të cilëve, na njeh me botën e tij dhe mënyrën se si i lexon tekstet fetare, e në veçanti hadithet e Pejgamberit (a.s).
Ndërsa, teologu nga Tirana Vladimir Kera, në fjalën tij theksoi, se ky libër nuk është thjeshtë një libër historie apo libër që vjen për Islamin nga ana teorike, por ky libër është libër i të jetuarit të Islamit. Pra, është libër praktik dhe libër se si duhet të jetohet Islami në jetën tonë të përditshme.
Në fund të aktivitetit, e mori fjalën edhe përkthyesi i librit, teologu Lavdrim Hamja, i cili ndër të tjera tha: Të flasim, shkruajmë dhe të publikojmë për Pejgamberin tonë (a.s) është detyrë dhe obligim fetar, për secilin mysliman, veçanërisht për teologët, imamët dhe dijetarët e këtij ymeti.
Unë jam i bindur, dhe siç ka thënë njerëzit e dijes së këtij ymeti, se nëse ne arrijmë ta paraqesim siç duhet dhe në mënyrë të saktë e të pa shtrembëruar, jetën e Pejgamberit (a.s), jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra dhe moral, nuk ka asnjë dyshim se njerëzit do ta nderojnë, respektoj dhe do ta pasojnë këtë Profet të madh, vulën e Pejgamberëve, për të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk të kemi dërguar, veçse mëshirë për mbarë botët!”
Në përfundim të promovimit, të pranishmëve ju dhurua libri.