Ditën e shtunë, më 3 qershor 2017, në ditën e 8-të të muajit të madhëruar të Ramazanit përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër, teologu Arben Halluni priti në një takim vëllazëror dhe miqësor z. Jaser Al-Bader, konsull në Ambasadën e Shtetit të Kuvajtit në Tiranë.
Gjatë takimit, përfaqësuesi i Myftinisë Shkodër falënderoi përzemërsisht ambasadën kuvajtiane, qeverinë dhe popullin mik e bujar të Kuvajtit për ndihmat dhe kontributet e gjithanshme që ka dhënë dhe jep prej vitesh për popullin shqiptar, sidomos gjatë muajit të bekuar të Ramazanit, duke shpërndarë me mijëra pako me ndihma ushqimore nëpër qytete të ndryshme të vendit.
Nga ana e tij, z. Jaser Al-Bader shprehu kënaqësinë që gjendet në mesin e vëllezërve të tij në Shkodër për të uruar muajin e begatë të Ramazanit, por edhe për t’ju gjendur pranë me ndihma ushqimore familjeve në nevojë.
Ai theksoi se Shteti i Kuvajtit e ka në themel aktivitetin humanitar dhe përkrahjen e njerëzve në nevojë anembanë botës.
Me rastin e kësaj vizite, u bë edhe shpërndarja e ndihmave për agjërues dhe njerëznë nevojë.