Tradita e leximit të Kur’anit Famëlartë në xhaminë e Parrucës

Tashmë është bërë një traditë shumë e bukur, që me fillimin e muajit të begatë të Ramazanit, të fillohet edhe leximi i plotët i Kur’anit Famëlartë, ose siç quhet ndryshe Hatmeja Sherife. Kjo ka nisur që në vitet e para të rilejimit të fesë në Shqipëri dhe vazhdon akoma edhe sot, duke u shtuar numri i besimtarëve që marrin pjesë në këtë lexim të Kur’anit Famëlartë.

Për disa vite me radhë, leximi i Hatmes Sherife po bëhet në xhaminë e Parrucës, ku besimtarë të shumët, pasi falin me xhemat namazin e Iqindisë, në prani të hoxhallarëve të xhamive të qyteti, fillojnë e lexojnë Kur’anin Famëlartë.

Kjo traditë islame me vlerë e myslimanëve të Shkodrës, po bëhet gjithnjë e më e përhapur, pasi edhe në xhami të tjera të qytetit zhvillohen lexime të Kur’anit Famëlartë.

Leximi i plotë i Kur’anit Famëlartë gjatë muajit të madhërueshëm të Ramazanit është pasim i brezave të parë të mirë, të cilët me ardhjen e Ramazanit i përkushtoheshin shumë leximit të Librit të Allahut (xh.sh).

Myftinia Shkodër fton të gjithë ata që kanë mundësi të marrin pjesë në këtë ndjenje të begatë, t’i bashkohen kësaj tradite të bukur dhe të marrin prej dritës së Kur’anit e të përfitojnë prej sa më shumë nga leximi i tij, sidomos gjatë këtij muaji të begatë, muajit të Ramazanit.

Hatmeja Sherife lexohet çdo ditë pas namazit të Iqindisë, në xhaminë e Parrucës.