Që në orët e para të ditës së xhuma, më 1 shtator 2017, besimtarë të shumtë myslimanë, kanë mbushur sheshin pranë xhamisë “Ebu Bekër” për faljen e namazit të sabahut dhe pjesëmarrjen në ceremonitë e Kurban Bajramit të këtij vit.
Siç është bërë traditë, në varësi të kushteve të motit, ceremonia e faljes së Bajrameve zhvillohet jashtë xhamive dhe përkatësisht në Fushë Çelë, pranë xhamisë së madhe, “Ebu Bekër”.
Pas faljes së namazit të sabahut nën drejtimin e teologut Idmir Plaku, imam i xhamisë “Ebu Bekër” ka filluar edhe programi i ceremonisë së kësaj dite feste.
Fillimisht teologu Arben Halluni bëri hapjen e ceremonisë, duke i uruar këtë festë të madhe të gjithë myslimanëve kudo që ndodhën dhe pastaj bëri edhe prezantimin e programit me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Në këtë program mbajtën ligjërata të dobishme dhe me rëndësi teologët dhe imamët e nderuar të Shkodrës, Adem Pizga, Idmir Plaku, Gilman Kazazi dhe Arben Halluni. Përmes argumenteve dhe shembujve konkretë, imamët e nderuar hodhën dritë mbi mesazhet dhe mësimet universale të fesë islame dhe parimeve të saj.
Faljen e namazit të Kurban Bajramit e drejtoi Lavdrim Hamja, sikurse mbajti edhe hytben e rastit.
Në hytben e Kurban Bajramit, imami i xhamisë së “Dy Vajzave, teologu Lavdrim Hamja, vuri theksin te rëndësia që ka Njësimi i Allahut dhe mbajtja e besimit, duke u përqendruar se mbikëqyrja e Zotit të Madhëruar është përherë prezent dhe e vazhdueshme, ndaj çdolloj padrejtësie dhe zullumi që ndodh në botë.
Dita e Kurban Bajramit, është festa që lidhet me kryerjen e ritualeve të haxhit në Mekë nga miliona besimtarë myslimanë të ardhur prej të katër anëve globit, duke dëshmuar harmoninë, barazinë, solidaritetin dhe vlerat e besimit, si një trup i vetëm.