Ditën e parë të Kurban Bajramit, më 1 shtator 2017, pas kryerjes së ceremonisë dhe faljes së Kurban Bajramit, Myftinia Shkodër ka organizuar pritjen tradicionale të miqve dhe vizitorëve, me rastin e kësaj dite të madhe për mbarë ymetin islam.
Imamët dhe këshilltarët e pranishëm të Myftinisë Shkodër, në mungesë të Myftiut, Imam Muhamed Sytari, i cili këtë ndodhet në Haxh, kanë pritur me këtë rast në ambientet e xhamisë së Parrucës miqtë dhe vizitorët e ndryshëm, duke nisur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve fetare të Shkodrës, drejtuesit e institucioneve vendore e lokale, deputetët, intelektualët dhe besimtarët e shumtë.
Pritja tradicionale me rastin e festave fetare dhe respektimi i tyre në Shkodër, nxjerr në pah harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, si një gjurmë e traditës së respektimit të fesë së tjetrit, sidomos në këto ditë, kur mbarë bota islame gëzon dhe feston mirësitë e Kurban Bajramit.
Myftinia Shkodër lutet që paqja, harmonia, toleranca dhe mëshira e Zotit të mbizotërojë gjithë botën, veçanërisht në Siri dhe Burma, ku myslimanët po vriten dhe persekutohen si asnjëherë tjetër në historinë e njerëzimit!