Mbrëmjen e së dielës, nëpërmjet valëve të Tv Antena Nord, teleshikuesit patën mundësi të ndiqnin një dokumentar mbi historikun dhe aktivitetin e xhamisë së “Dy Vajzave”, që ngrihet sot, mbi vakëfin e Shaban efendisë.
Nëpërmjet shpjegimeve të qarta e plot pathos të imamit të kësaj xhamie, Hoxhë Lavdrim Hamja, teleshikuesi pat mundësi të kuptonte detaje interesante të zhvillimit të vakëfit dhe rrjedhës nëpër të cilën kaloi ndërtimi i xhamisë, si institucion edukativ, ndër shekuj.
Hoxha i nderuar përmendi edhe imamë të shquar që kanë shërbyer në xhaminë e vjetër të këtij vakëfi, si: atdhetari dhe poeti i shquar Sheh Ahmet Shkodra, antikomunisti i flaktë Hafiz Musa Dërguti etj.
Xhamia e “Dy Vajzave”, e zbukuroi këtë pjesë të qytetit, që nga viti 2013, kur falë bashkëpunimit të Myftinisë Shkodër me Institutin Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam, u realizua ky kompleks me vlerë, i ndërtuar për kujtim të Dy Vajzave, studente kuvajtiane, që humbën jetën në një aksident automobilistik.
Njëri prej prindëve, Ing. Ahmed Esh-Shajia, mori pjesë personalisht në përurimin e kësaj xhamie, ndër më të bukurat në Shkodër.
Myftinia Shkodër shpreh falënderimet e saj për stafin e Tv Antena Nord që realizoi këtë prezantim të bukur e plot dritë të Xhamisë së “Dy Vajzave”.