Vizitë vëllazërore e Myftiut dhe imamëve të Kavajës

Ditën e shtunë, më 11 nëntor 2017, Myftiu i Kavajës, H. Besnik Lecini me imamët e Kavajës zhvilluan një vizitë vëllazërore në qytetin e Shkodrës.

Me këtë rast, ata u pritën nga Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari me bashkëpunëtorë.

Në kuadër të përkujtimit të ditës historike të 16 nëntorit 1990, së bashku, ata zhvilluan një vizitë në Xhaminë e Plumbit, që është kthyer tashmë në kiblen e rimëkëmbjes së historisë së Thirrjes Islame në Shqipëri.

Pas përshëndetjeve të dy myftive të nderuar, të pranishmit dëgjuan edhe disa të dhëna me vlerë nga kujdestari i Xhamisë së Plumbit, H. Mithat Myftija rreth historikut të kësaj xhamie dhe emocioneve të nëntorit 1990, kur pas shumë përgatitjeve, më 16 nëntor të atij viti, u zhvillua edhe ceremonia historike e faljes së xhumasë së parë masive pas errësirës ateo-komuniste.

Më pas, vizita vijoi në xhaminë e Medresesë, me ç’rast u zhvillua edhe një përshëndetje për xhematin dhe djemtë e konviktit të djemve.

Gjatë përshëndetjeve të dy myftive, u vu theksi te domosdoshmëria e bashkëpunimit, tejkalimit të sfidave të reja me të cilat përballet bashkësia e muslimanëve shqiptarë, distancimit nga tendencat përçarëse dhe gjendjes së pasivitetit në raport me realitetin.