Tribuna fetare e motrave besimtare mbush xhaminë e Parrucës

Ditën e shtunë, më 9 dhjetor 2017, në kuadër të aktiviteteve me rastin e përkujtimit të Lindjes së Begatë të Hz. Muhammedit (a.s), Myftinia Shkodër organizoi një tribunë fetare për motrat besimtare.

Aktiviteti që u zhvillua në xhaminë e Parrucës, dëshmoi edhe një herë rëndësinë e këtyre tubimeve me vlerë. Pavarësisht kushteve të rënduara të motit, ditën e shtunë, xhamia e Parrucës ishte mbushur me pjesëmarrëse të shumta.

Aktiviteti ishte ndërthurrur me lexime kur’anore, ilahi si dhe ligjërata fetare nga vaizet e nderuara, teologet: Ferzet Ndoja, Jetmira Plaku dhe Zamira Puka (Bushati), të cilat hodhën dritë mbi jetën dhe traditat e Hz. Muhammedit (a.s), vlerën e salavatit, përshkrimet e ndryshme kur’anore mbi jetën dhe misionin e tij, dobinë e tubimeve që kanë në qendër të vëmendjes përkujtimin e Resulull-llahut (a.s) etj.

Aktiviteti u mbyll me duanë e hatmes sherife si dhe me lutjet për paqe, bekime e mëshirë për krejt besimtarët dhe mbarë njerëzimin.