Nëse bota e qytetëruar do të kërkonte për një ditë simbolike në promovim të tolerancës, humanizmit, shirtmadhësisë e drejtësisë, pa dyshim ajo ditë do të ishte dita kur, babai i drejtësisë botërore, Hz. Omeri (r.a) hyri çlirimtar në Kudsi Sherifë.
Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë, jo për nënçmimin e të krishterëve, as për poshtërimin e tyre, as për faktin e pushtetit që kishte në dorë, as për një ndjenjë të fshehur paragjykimi ndaj tyre, jo!
Atë ditë, ai nuk pranoi të shkelte në pragun e kishës, që çdo musliman në botë të mësonte dhe të shihte në praktikë se kishat, sinagogat e krejt objektet e kultit të kujtdo qoftë, nuk preken, as lihet shteg për nënkuptime të mundshme tek ata që pasojnë, për respekt të të zotëve legjitimë të këtyre faltoreve!
Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë, edhe pse mund ta gjente një vend të veçuar, për t’u falur nga drejtimi i kibles së tij, por jo, nuk e bëri një gjë të tillë!
U trashëgua ndër breza ky veprim i mbështetur në burimet e së mirës për mbarë njerëzimin, saqë, kur muslimanët hynin çlirimtarë a triumfues në një vend, nuk i digjnin kishat, as i shkatërronin, as u digjin këmbanoret, as i hidhnin në erë, përkundrazi; i shfytëzonin për vendadhurime, për xhami e faltore, në rast se ato nuk përdoreshin më nga të krishterët, a boshatiseshin natyrshëm, siç ndodh sot, në Evropë e Amerikë, kur shumë e shumë kisha nxirren në shitje për shkak të mosfrekuentimit, lëvizjeve demografike etj.
Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë, që t’ia ruante kishën të krishterëve të Kudsi Sherifit deri në kiamet..! Që të ruante çdo kishë nga kompleksi a frika ndaj muslimanëve, edhe pse muslimanët nuk frikësojnë, nuk shkatërrojnë e nuk dëmtojnë pronën, jetën, shenjtëritë e tjetrit, kushdo qoftë tjetri..!
Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë..! Në fakt, po atë ditë, ai shënoi me shkronja të arta termin: TOLERANCË, që buron nga pjekuria e besimit, nga vetëpërmbajtja, siguria dhe drejtësia, nga frika e Zotit dhe dashnia e Tij!
Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë..! Po atë ditë, emri OMER IBN EL-HATTAB, hyri në histori nga një derë e madhe, prej ku mbarë bota duhet të mësojë madhështinë e tolerancës dhe mosabuzimit me shenjtëritë e tjetrit; muslimanët, të krishterët, hebrenjtë dhe të gjithë ata, që besimin e ndjejnë si një forcë e brendshme që frymëzohet dhe ushqehet nga Drita e Udhëzimit dhe që e nxit njeriun dhe e mëkon në vazhdimësi, të jetojë ndërtues urash e vlerash, sidomos në një botë plot diversitet..!
Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë..! Po atë ditë, ajo kishë dhe xhamia e tij bri saj, mbetën gurra të pashterrshme të një historie, mesazhet dhe përkujtimi i së cilës, na ftojnë të respektojmë njëri-tjetrin, duke respektuar shenjtëritë përkatëse… Tejkalimi i këtij pragu qytetërues, është i barazvlefshëm me kafshimin e mollës së ndaluar, që e nxjerr individin dhe shoqërinë nga mirëqenia e harmonisë dhe tolerancës, drejt anarshisë dhe të papriturave që pasojnë shfrytëzimin e situatave pandershmërisht!
Kush mbështetet në Zotin dhe thërret drejt Tij, jeton dhe vdes me nder e dinjitet! E kundërta ndodh, me shfytëzuesin e politikave të djallëzuara selektive, që nuk marrin parasysh se, sado pushtet që të kenë, janë të përkohshme, kalimtare, jo absolute..!
Atë ditë, ai nuk pranoi të falej në kishë..! All-llahu e lartësoftë kujtimin e tij të mirë dhe e dritësoftë emrin e tij, bri Mësuesit dhe Udhërrëfyesit të tij, Hz. Muhammed Mustafasë! Amin!
Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Shkodër, 10 dhjetor 2017