“Të mbrojmë tokën, shtëpinë tonë të përbashkët”

Të nderuar të pranishëm,

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, Krijuesit të njeriut dhe gradimit të tij për të qenë mëkëmbës besnik në tokë!

Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta ia dërgojmë sot, në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës sonë, Hz. Muhammedit (a.s.), të dërguarit mëshirë për tanësinë, si dhe vëllezërve të tij udhërrëfyes dhe dritësues të jetës së njeriut dhe misionit të tij mbi Tokë; Hz. Musait dhe Hz. Isait, babait të tyre, Hz. Ibrahimit (a.s.), si dhe pasuesve dhe ndjekësve të tyre të sinqertë dhe me besnikëri, deri në ditën e gjykimit!

All-llahu i Madhëruar na udhëzon në Kur’anin Famëlartë: “Ne e kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Leuhi Mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robtë e Mi të mirë”.[1]

E kam menduar shpesh domethënien dhe përmbajtjen e kuptimeve të këtij ajeti të shenjtë, ku janë përfshirë krejt Librat e shenjtë, Toka, trashëgimia e saj dhe njerëzit e mirë.

Pas disa leximeve dhe kërkimeve, u ndala tek njëri prej komenteve më elitare të kohës, autori i të cilave, prof. dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi thotë: “Nga ky ajet kuptojmë se, trashëgimi i ndërtimit të tokës nga të mirët, është prej vërtetësive të përhershme, si dhe prej parimeve absolute të shkruara më herët në Librat e shenjtë; në Kur’an, në Teurat, në Inxhil, a në Zebur.

Që do të thotë: Njerëzit e mirë në administrimin e saj, të mirët në shfrytëzimin e pasurive të saj, të mirët në garantimin e shërbimeve për popullin! Prandaj, pyete veten çdo ditë: Çfarë ke bërë për populin tënd? Çfarë i ke ofruar atyre? Dije? Apo fëmijë të pjekur, që pas studimeve u bënë mjekë, gjyqtarë, juristë, inxinierë, që kryen misionin e tyre më përpikmëri dhe me krejt aftësitë e tyre!

Pra, kur ti thua: Unë do bëj diçka, (duke i dhënë hakun e plotë asaj gjëje), ti je musliman i vërtetë, ndërsa nëse krejt angazhimi dhe përkujdesja jote do të jenë vetëm për interesin tënd personal, vetëm për shtëpinë tënde, duke mos të interesuar asgjë nga hallet e të tjerëve, dije se tek All-llahu, ti nuk ke asnjë peshë!

Duhet të kuptosh fenë si një dhunti, që të nxit drejt përsosmërisë së punës tënde, studimeve tua…”.[2]

Me fjalë të tjera, Kur’ani na nxit ta trashëgojmë Tokën, duke dhënë më të mirën tonë për të ndërtuar vlera e dobi për jetën mbi të! Në këtë kontekst, të gjithë jemi të përfshirë në këtë Thirrje të shenjtë, në veçanti prijësit fetarë dhe pushtetarët e përkohshëm.

Të parët, pra, prijësit fetarë, duke ruajtur kufijtë e misionit të shenjtë të udhëzimit të njeriut, si dhe duke u bërë përhapës të së mirës dhe harmonisë, larg fanatizmit të verbër, larg mendësive të dominimit a përçmimit të tjetrit, kushdo qoftë ai, larg tendencave që krijojnë cytje të panevojshme, veprimi i të cilave hedh poshtë krejt punën e mirë të ndërtuar me përkushtim e shembull qytetërues!

Nuk ka asnjë vlerë tek Zoti, asnjë mur i vdekur, para një komuniteti, që duhet mëkuar me frymën e paqes dhe harmonisë, në rrugëtimet e një jete të shkurtër, aq sa Zoti e ka shkruar për njeriun mbi Tokë!

Të dytët, pra, pushtetarët, duke respektuar fillimisht vetveten, duke mos kaluar kufij që nuk duhen kaluar e prekur në marrëdhënie me të tjerët e, mbi të gjitha duke shërbyer me përulsëi për popullin dhe hallet e tij!

Përderisa nuk i zgjidhim problemet e të rinjve; me ligje të qarta dhe të mbara për arsimin e lartë, krijimin e mundësive për zhvillimin e arsimimit në kushte bashkëkohore, zgjidhjen përfundimtare të problemeve të banimit, krijimin dhe hapjen e mundësive të punësimit, lehtësimin e rrugëve për krijimin e familjeve të reja, miratimin e ligjeve të prera kundër abortit selektiv, por jo vetëm, përpjekjes së vazhdueshme për eliminimin e papunësisë, për shfrytëzimin e pasurive me të cilat na begatuar Zoti; “nuk do të nderohemi në botë, as do të nderohet feja e jonë dhe, kjo është një e vërtetë e hidhur”[3], që duhet ta themi me të madhe, duke iu bashkuar krejt zërave të qytetëruar që me dinjitet kërkojnë ndryshimin e të keqes së përhapur në masë dhe heqjen e barrave mbytëse, të padrejta dhe krejtësisht korruptive nga jeta e shqiptarëve, për të cilat kemi tërhequr vëmendjen prej vitesh nëpërmjet predikimeve, thirrjeve të shumta dhe këshillimeve komunitare, në kontekstet e hakut të shtëpisë sonë të përbashkët, Tokës dhe jetës me dinjitet mbi të!

Prandaj, kur njeriut i paqtohet zemra dhe i piqet mendja, kur i rriten ndjenjat dhe i ndizet arsyeja, i ekuilibrohet mendja dhe zemra; kështu ai bëhet i mundur për të qenë mëkëmbës i Zotit mbi Tokë![4]

Të dashur të pranishëm,

Janë të shumta ajetet kur’anore dhe porositë udhëzuese të Hz. Muhammedit (a.s.), që na ftojnë të kujdesemi për Tokën dhe gjallërimin e saj, me përkushtim e përulje para bekimeve të Zotit-Krijues!

Në Kur’anin Famëlartë lexojmë: “Ai (All-llahu) është që krijoi kopshte me bimë të ngritura lart, por edhe të rrafshta, të shtrira në tokë, edhe hurmet dhe drithërat me frute plot shije të ndryshme; (krijoi) ullinjtë dhe shegët e ngjashme (nga forma) e jo të ngjashme (nga shija). Hani frutat e tyre kur të piqen dhe ditën e korrjes (e të vjeljes) së frutave jepeni atë pjesë që është obligim (të varfërve e nevojtarëve) dhe (hani-jepni) mos e teproni, sepse Ai nuk i do shpërdoruesit”.[5]

“Ndërsa përkujdesja për pemët dhe specifikimi i kësaj përkujdesjeje në hadithet e të Dërguarit të All-llahut, është e panumërt, aq sa kushdo që mediton në interesimin e të të Dërguarit të All-llahut për pemët dhe kthimin e vendeve arabe dhe atyre islame në lulishta plot me pemë e gjelbërim; kupton dhe bindet se Islami është fé…, që i ka kushtuar një vëmendje të madhe mbjelljes në përgjithësi dhe interesimit për pemët në veçanti!”[6]

Hz. Muhammedi (a.s.) udhëzoi: “Kushdo që e ngjall një tokë të vdekur, ai është i denjë për të dhe çdo krijesë që ushqehet prej saj, do t’i regjistrohet atij si shpërblim!”.[7] Poashtu na porositi: “Nëse do të bëhet kijameti, ndërkohë që në dorën e ndonjërit prej jush ka një fidan, le ta mbjellë atë!”.[8]

Për fund të kësaj trajtese,

Një person hyri në bahçen e Hz. Osmanit (r.a.), prijësit të besimtarëve, të cilin e gjeti duke mbjellur ca bimë. I tha: O prijës i besimtarëve, a po mbjell tokën, ndërkohë që është afruar kijameti? Osmani i urtë ia ktheu: “Të më vijë kijameti duke më gjetur prej mirëbërësve, është më e mirë dhe më e dashur për mua sesa, të më vijë e të më gjejë prej keqbërësve!”[9]

Si jo, kur zotëria i tij i përkiste shkollës së madhe të edukimit me përkujdesjen për Tokën dhe përhapjen e të mirës mbi të; Hz. Muhammedit (a.s.), që para 15 shekujsh udhëzoi njerëzinë me fjalën e tij të artë: “Ruajeni Tokën, sepse ajo është Nëna e juaj! Kushdo që do të punojë një të mirë a një të keqe mbi të, ajo do të dëshmojë për të!”[10]

Shkodrën dhe trojet tona shqiptare i ka bekuar Zoti me pasuri dhe bukuri natyrore, me tokë pjellore dhe ujë të rrjedhshëm! Të punojmë me krejt mundësitë tona për t’ia kthyer me mirënjohje Zotit këtë bekim të madh, me përgjegjesinë e ruajtjes, përkujdesjes dhe shfrytëzimit të qytetëruar të kësaj mirësie të pallogaritur!

Imam Muhamed B. Sytari

Myfti i Zonës Shkodër

(Fjala e mbajtur në konferencën ndërfetare me temë:

Të mbrojmë tokën, shtëpinë tonë të përbashkët”,

Shkodër, më 11 dhjetor 2018)


[1] Kur’ani, El-Enbija: 105.

[2] Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi (jeton në Aman të Jordanisë), Tefsirun-Nabulsi, botimi i parë, 2016, Aman, Muessestul-Fursan, vëll. 5, f. 512-513.

[3] Dr. Muhammed Ratib En-Nabulsi, vep., e cit., vëll. 5, f. 513.

[4] Po aty, vëll. 5, f. 513.

[5] Kur’ani, El-En’am: 141.

[6] Shejkh Ahmed Keftaro, Min Hedjil-Kur’anil-Kerim, Damask, 1990, f. 260-261.

[7] Transmetuar nga Imam Ahmedi dhe Ibn Hibbani.

[8] Transmetuar nga Imam Ahmedi dhe Bezzari.

[9] Shejkh Ahmed Keftaro, Min Hedjil-Kur’anil-Kerim, Damask, 1990, f. 262.

[10] Transmetuar nga Tabaraniu, nga Rebia ibn Amr El-Xhureshi (r.a.).