
Myftiu i Shkodrës: “Çdo projekt mbi pronë të grabitur ka mallkimet e Zotit!”
Në ligjëratën e ditës së xhuma, më 10 tetor 2025, që Imam Muhamed B. Sytari, mbajti në xhaminë e Parrucës, në vazhdën e komentimit të ajetit 21 të sures ‘Er-Rum’, u ndal përsëri te fesadi i madh, që ka mbuluar vendin tonë në raport me grabitjen pronës së tjetrit, veçanërisht pronës vakëf të muslimanëve.
Myftiu Sytari, ndër të tjera tha: “Gjatë javëve të kaluara kemi ndjekur me shqetësim situatën që është kthyer tashmë në një praktikë të përsëritur ndër vite në vendin tonë: shkeljen e të drejtave të komuniteteve fetare — në rastin tonë, të komunitetit tonë — lidhur me çështjen e pronave.
Kur një komunitet përballet me një fushatë sistematike, kjo do të thotë se ai po lufton me një sëmundje të thellë, një sëmundje që ende nuk është shëruar, e ndoshta është bërë e pashërueshme. Si pasojë, ne po shohim përhapjen e gangrenës së këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare: përhapjen e zullumit, nxitjen e urrejtjes, përhapjen e të keqes dhe pranimin e masave ekstreme si të drejta..!?
Dhe ju e dini mirë, se ne gjithmonë nxisim që njeriu i mirë dhe besimtari i devotshëm të mos dorëzohet kurrë përballë stuhive të mohimit dhe shejtanit të mallkuar.
Asnjëherë besimtari nuk duhet ta mendojë ikjen, apo braktisjen e vendit të tij, vetëm pse po përballet me padrejtësi apo sprova. Sepse nëse ti ikën nga rruga e Zotit, ata që përhapin prishjen, gjynahet dhe shthurjen, do ta arrijnë qëllimin e tyre!
Ata duan që vendi ynë, toka jonë, të kthehet në një pjesë të sundimit të së keqes absolute.
Por besimtari i sinqertë nuk dorëzohet. Ai qëndron me durim, me iman dhe me shpresë tek Allahu, derisa drita e së vërtetës të mbizotërojë.
Në këtë kontekst, siç e kam përmendur edhe javën e kaluar, dhe më herët, po e përsëris sërish: po përballemi me një fushatë të madhe grabitjeje dhe shkeljeje të së drejtës sonë legjitime mbi Xhaminë e Madhe.
Së fundmi, kemi parë me tronditje sesi në atë hapësirë është prezantuar një tjetër projekt, i cili – në mënyrë të çuditshme dhe të paturpshme – është paraqitur pa praninë e xhamisë së madhe, madje duke u shfaqur sikur xhamia të mos ekzistonte më në horizont.
Kjo tregon qartë sa i madh është fesadi, sa e thellë është ligësia, dhe sa të guximshëm janë bërë ata që e përhapin këtë padrejtësi në vendin tonë.
Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht! Sepse kjo situatë po e çon shoqërinë drejt përplasjes dhe konfliktit.
Këto veprime po prishin ekuilibrat fetarë, ekuilibrat kombëtarë dhe po hapin rrugën drejt një anarshie sociale që askush nuk do ta dëshironte.
Është e papranueshme që në qytetin e Shkodrës të prezantohet një projekt ku në hartë fshihet Xhamia e Madhe, simboli historik dhe shpirtëror i myslimanëve të këtij qyteti, aq më shumë që vetë ky projekt ngrihet 100% mbi pronën e grabitur vakëf.
Prandaj, është detyrë e shtetit dhe e çdo institucioni përgjegjës të ndalë menjëherë këtë padrejtësi..!
Pa u zgjidhur problemi i pronave në këtë vend, nuk ka standarde qytetëruese!
Nuk ka standarde qytetëruese kur shkelet e drejta flagrante e të zotit të pronës! Nuk ka standarde qytetëruese që të thuash se ka drejtësi, kur njerëzit vriten për një pëllëmbë tokë. Sepse ai që duhet të vendosë të drejtat në vend, ose bëhet palë me shejtanin, ose është bërë vetë iblis, ose nuk e ka mendjen fare se çfarë po ndodh…!”
Gjatë dersit të tij, Myftiu u ndal edhe te problematik e shumta të vakëfeve të ndryshme të Myftinisë Shkodër, sidomos brenda zonë së qytetit, ku përmendi zaptimet e vakëfit në Kiras, në Rus, tek Bypassi, tek zona e Tabakut, në Perash, grabitjen e vakëfit të xhamisë së Garucit, etj.