Përurohet Qendra Kulturore Bardhaj

Përurohet Qendra Kulturore Bardhaj

Përurohet Qendra Kulturore Bardhaj

Ditën e shtunë, më 11 tetor 2025, në kuadër të 35 vjetorit të rihapjes së kulteve të besimit islam, Myftinia Shkodër organizoi përmes një ceremonie përurimin e Qendrës së re Kulturore Bardhaj, financuar nga bamirës të Shtetit të Kuvajtit dhe ndërtuar nga Fondacioni “Mirësia”.

Me pjesëmarrjen e besimtarëve të zonës dhe të shumë nxënësve të kësaj Qendre dhe të qendrave të tjera kulturore, pas hapjes nga përgjegjësi i arsimit, teologu Arben Halluni, fjalën e rastit të përurimit e mbajti Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, i cili fillimisht falënderoi vëllezërit nga Kuvajti dhe fondacionin “Mirësia”, ndërsa theksoi se tashmë fëmijët tanë kanë një mjedis dhe një klasë më shumë për edukim dhe argëtim, gjë që do t’i gëzojë e lumturojë edhe prindërit e tyre, sepse fëmijët ndodhen në duar të sigurta, të cilat garantojnë rritjen e tyre me frymën e drejtë dhe të vërtetë fetare.

Ndërkohë, Myftiu tha se projekte të tilla do të shërbejnë në gjallërimin e jetës fetare, sociale dhe edukimit të fëmijëve më mësimet fetare dhe jo vetëm.

Në përfundim, Myftiu i bëri një dhuratë simbolike që lidhet në nderim të personalitetit të tij për të cilin theksoi: “Kontributi i madh i z. Korab Kaja, gjatë 15-ve të fundit në Shkodër, në fusha të ndryshme të bamirësisë e bën atë një Qytetar Nderi të Shkodrës, sepse në të vërtetë askush nuk ka kontribuuar në fusha të ndryshme të bamirësisë për këtë qytet në këtë periudhë kohore më shumë se sa Fondacioni “Mirësia”, të cili i jemi mirënjohës pafund!”

Ndërsa, drejtori i Fondacionit “Mirësia”, z. Korab Kaja, në përshëndetjen e tij, falënderoi Myftininë Shkodër për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre, duke shprehur kënaqësinë për këtë qendër kulturore dhe edukuese që iu ofrohet fëmijëve dhe të rinjve të zonës.

Në një atmosferë festive ceremonia u shoqërua me një program artistik nga nxënësit e mejtepit të xhamisë Bardhaj.

Ceremonia e përurimit përfundoi me fjalën e imamit dhe mësuesit të përkushtuar të xhamisë dhe Qendrës Kulturore Bardhaj, H. Ilir Dizdari si dhe më pas më prerjen e shiritit dhe zbulimit të pllakës, vizitën e ambienteve të qendrës dhe shijimin e një koktejli, të përgatitur enkas për këtë ceremoni përuruese.